Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për progresin e Serbisë për vitin 2025 ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e të drejtave të shqi

Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për progresin e Serbisë për vitin 2025 ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke evidentuar mungesë progresi dhe shkelje të vazhdueshme të standardeve evropiane në trajtimin e pakicave kombëtare.
Në dokument theksohet qartë se:
- Vazhdon pasivizimi i adresave, një praktikë diskriminuese që çregjistron shqiptarët nga sistemi administrativ dhe u mohon prezencën ligjore në vendin ku jetojnë.
- Nën-përfaqësimi në institucionet shtetërore mbetet problem serioz, ndërsa Plani i Veprimit për integrimin e shqiptarëve (2022) nuk ka sjellë rezultate të prekshme.
- Shqiptarët ende përballen me vështirësi në qasje në arsim në gjuhën shqipe, si dhe në përdorimin zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare.
- Raporti evidenton mungesë të zbatimit të plotë të standardeve të Këshillit të Evropës, duke e vlerësuar këtë si pengesë direkte në rrugën e Serbisë drejt BE-së.
Deputeti Shaip Kamberi theksoi se raporti është një dëshmi e realitetit që shqiptarët e Luginës e përjetojnë çdo ditë, duke e cilësuar atë si një “akt akuze ndaj mohimit institucional që po ndodh në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”.
“Evropa nuk mund të mbyllë sytë para zhdukjes së heshtur administrative,” ka deklaruar ai, duke kërkuar që këto gjetje të shndërrohen në kusht politik të qartë për ecjen e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, reagoi duke thënë se raporti “konfirmon atë që Lugina thotë prej vitesh” dhe se kërkohet zgjidhje institucionale, jo vetëm konsttime periodike.
“Kombësia shqiptare në këtë rajon nuk kërkon më shumë e as më pak se barazi dhe dinjitet,” u shpreh Rexhepi, duke nënvizuar se KKSH do të vazhdojë të kërkojë zbatim të rekomandimeve evropiane.
Raporti i Komisionit Evropian e vë edhe një herë çështjen e Luginës në agjendën ndërkombëtare, duke i bërë presion Beogradit të ndërmarrë hapa konkretë për garantimin e të drejtave të shqiptarëve, si parakusht për integrimin evropian.
COMMENTS