Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Serb

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Serbinë, në të cilin konfirmohet se Beogradi vazhdon të dështojë në respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Bislimit, raporti i sivjetëm i BE-së për Serbinë vërteton shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve, përfshirë diskriminimin, nënpërfaqësimin dhe procesin e pasivizimit të adresave, të cilin ai e cilëson si një politikë të qëllimshme për spastrimin etnik administrativ.
“Shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi konstatohet edhe nga Bashkimi Evropian. Korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave mbetet e paplotë, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave. Siç kemi denoncuar gjatë mandatit tonë, po dëshmohet se këto praktika përbëjnë artikulim të politikave që synim kanë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative,” ka theksuar Bislimi.
Ai ka mirëpritur faktin që Komisioni Evropian për herë të parë e ka reflektuar qartë çështjen e pasivizimit në vlerësimet përfundimtare të raportit zyrtar, duke kërkuar monitorim dhe kontroll të këtyre procedurave diskriminuese nga institucionet e BE-së.
“Ky pasivizim është duke u bërë për vite me radhë, dhe është shumë e rëndësishme që më në fund BE ka pranuar ta reflektojë dhe ta përfshijë në raportin zyrtar,” ka shtuar Bislimi.
Në raportin e Komisionit Evropian theksohet gjithashtu se plani i veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë nuk ka sjellë rezultate, ndërsa qasja në administratë publike, polici, arsim dhe punësim vazhdon të jetë e kufizuar.
Raporti evidenton edhe mungesën e raportimit të mjaftueshëm në gjuhët e pakicave në mediat publike, si dhe vazhdimin e retorikës së urrejtjes ndaj minoriteteve nga politikanë dhe media në Serbi.
Në përfundim të reagimit të tij, Bislimi ka theksuar se Kosova do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje në çdo nivel ndërkombëtar, derisa të garantohen plotësisht barazia, dinjiteti dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
“Kosova do të vazhdojë të ngrejë këto çështje në çdo nivel ndërkombëtar, derisa barazia, dinjiteti dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi të garantohen plotësisht,” ka përfunduar Bislimi.
COMMENTS