HomeNë fokus

Banorët e “Karakaçkës” kundërshtojnë ndërtimin e banesave për të zhvendosurit, reagojnë përfaqësuesit e komunitetit rom

Rreth 170 banorë të lagjes "Karakaçka" në Bujanoc, përfshirë qytetarë serbë dhe shqiptarë, kanë nënshkruar një peticion kundër ndërtimit të banesa

Pajaziti: Sa më afër zgjedhjet, në modë Fake profilet
Ambasadori i OSBE-së qëndroi në Bujanoc
Kamberi bënë thirrje për peticionin e Qendrës Memoriale në Batajnicë

Rreth 170 banorë të lagjes “Karakaçka” në Bujanoc, përfshirë qytetarë serbë dhe shqiptarë, kanë nënshkruar një peticion kundër ndërtimit të banesave për personat e zhvendosur nga Kosova, duke kërkuar nga autoritetet komunale që të gjendet një “lokacion më adekuat”, shkruan Bujanovačke, përcjell FOLonline.

Në dokumentin e dorëzuar kryetarit të komunës Arbër Pajaziti, zëvendëskryetarit Aleksandar Millosheviq dhe Shërbimit të Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë, nënshkruesit shprehen se ndërtimi i objekteve për familjet e zhvendosura “do të ndikonte negativisht në cilësinë e jetës në Karakaçkë”.

“I shprehim kundërshtimin tonë të qartë ndaj planit për ndërtimin e objekteve banesore për persona të zhvendosur dhe të tjerë në territorin e komunës së Bujanocit, në vendbanimin Karakaçka”, thuhet ndër të tjera në peticionin e banorëve.

Si arsye për kundërshtim, ata përmendin:

  • infrastrukturën e papërfunduar në lagje,
  • afërsinë me kontejnerët e mbeturinave që, sipas tyre, krijojnë ndotje dhe pamje të papërshtatshme,
  • si dhe “ndryshimin e strukturës demografike”, që – sipas peticionit – “mund të çojë në konflikte dhe tensione ndërmjet banorëve”.

Në peticion theksohet gjithashtu se ndërtimi i banesave për këto qëllime do të sillte “pasoja të paparashikueshme dhe destabilizim të mikrolokacionit”, duke i bërë thirrje komunës që të shqyrtojë mundësinë e një lokacioni tjetër.

Reagimi i përfaqësuesit të komunitetit rom

Pas këtij peticioni ka reaguar Adem Salihi, kryetar i degës lokale të Partisë për Drejtësi dhe Pajtim, i cili njëkohësisht përfaqëson komunitetin rom në Bujanoc. Ai e ka quajtur peticionin “shqetësues dhe diskriminues”.

“Ky peticion nuk ka të bëjë me vendin e ndërtimit, por me vendin ku jemi si shoqëri. Tregon se paragjykimi dhe diskriminimi ndaj romëve, fatkeqësisht, ende jetojnë në mesin tonë,” ka thënë Salihi.

Sipas tij, familjet e zhvendosura janë të komunitetit rom, të cilat prej vitit 1999 jetojnë në kushte të vështira në qendra kolektive.

“Në vend që t’u japim dorën e ndihmës, disa bashkëqytetarë tani po u thonë se nuk janë të mirëpritur – vetëm pse janë romë. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj tyre, por turp për të gjithë ne,” ka shtuar ai.

Salihi ka theksuar se komuniteti rom në Bujanoc “është paqësor, i hapur dhe i integruar”, duke kërkuar që të ndërtohen ura mirëkuptimi e bashkëjetese në vend të “mureve të përjashtimit”.

“Bujanoci është qyteti i të gjithëve. Vetëm me respekt dhe solidaritet mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët pa paragjykime,” ka përfunduar ai.

COMMENTS