HomeAktuale

Takimi i dështuar mes KKSH-së dhe Trupit Koordinues – kundërthënie për flamurin kombëtar

Takimi i planifikuar për sot mes kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkêp Rexhepi, dhe kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së

Presheva me ura bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit në Maqedoni
Konkurs për praktikën profesionale në institucione qëndrore
Më 18 korrik mbahet Seanca e Katërt e Kuvendit Komunal të Bujanocit

Takimi i planifikuar për sot mes kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkêp Rexhepi, dhe kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Martinoviq, bashkë me u.d. drejtorin e shërbimit të Trupit në Bujanoc, Nenad Mitroviq, ka dështuar të mbahet për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me praninë e flamurit kombëtar shqiptar në ambientin e takimit.

Sipas njoftimit të kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, që në fazën e organizimit ka pasur “tendenca dashakeqe” nga ana e Trupit Koordinues për të kushtëzuar zhvillimin e takimit.

“Fillimisht, kërkesa e tyre ishte që takimi të mbahej në ambientet e shërbimit të Trupit Koordinues në Bujanoc, e pas refuzimit tonë, kërkesa tjetër, edhe më absurde se e para, ishte që takimi të mbahet në një ‘lokacion neutral’”, ka deklaruar Rexhepi, duke shtuar se një kërkesë tjetër e mëvonshme ka qenë që takimi të mbahej “në ambient pa flamur”.

Ai theksoi se zyrtarët e Trupit Koordinues ishin të njoftuar që në hapësirat e KKSH-së, që nga themelimi, qëndron i vendosur flamuri kombëtar shqiptar dhe se për këtë ishin dakorduar paraprakisht. Rexhepi ka reaguar ashpër ndaj skenës që pasoi: “Skenari i dobët, i përgatitur vetëm për spektakël mediatik, kinse kryetari i Trupit Koordinues u ndie i befasuar me flamurin kombëtar në zyrën e takimit, ishte skenë sa e gërditshme, po aq denigruese për një përfaqësues shtetëror.”

Ai tha se qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi Planin Aksional 2023-2026, i miratuar nga Qeveria e Serbisë dhe që Trupi Koordinues ka rol ndërmjetësues në zbatimin e tij. “Kërkesa jonë ishte që Plani Aksional të diskutohet vetëm në nivele të larta shtetërore, pas një raporti mbi progresin aktual”, tha Rexhepi, duke e cilësuar çdo tentim përmes “dialogut bosh” si mënyrë për shmangie të përgjegjësisë.

Në anën tjetër, Trupi Koordinues ka dhënë një version ndryshe të ngjarjes. Sipas komunikatës zyrtare, takimi nuk është mbajtur sepse “kryetari i KKSH-së Enkêp Rexhepi nuk pranoi që nga ambienti i takimit të hiqej flamuri i Shqipërisë, edhe pse kjo ishte kërkesë në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi”.

Më tej, ata theksojnë se “në propozimin e Martinoviqit që takimi të mbahej në një tjetër hapësirë, në mënyrë që të vazhdonte dialogu, edhe kjo mundësi u refuzua nga kryetari i KKSH-së”, pas çka përfaqësuesit e Trupit e kanë lënë ambientin. “Trupi Koordinues mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë aktorët relevantë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thuhet në fund të deklaratës.

Pas situatës së krijuar, KKSH njoftoi se do të informojë në detaje ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në Beograd, si dhe Tiranën dhe Prishtinën.

COMMENTS