Video-festival me këngë dhe valle shqiptare, serbe dhe rome, në kuadër të projektit “Urat e Kulturës – Dialogu ndërkulturor përmes artit dhe tradi

Video-festival me këngë dhe valle shqiptare, serbe dhe rome, në kuadër të projektit “Urat e Kulturës – Dialogu ndërkulturor përmes artit dhe traditës”
Të martën, më 22 shtator 2026, me fillim në orën 10:00, në sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc, Shoqata Kulturore Shqiptare “Perspektiva” vazhdoi aktivitetet e projektit “Urat e Kulturës – Dialogu ndërkulturor përmes artit dhe traditës”, i cili mbështetet nga Shërbimi i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në kuadër të aktivitetit u organizua një video-festival në ekranin e vogël, me pjesëmarrjen e nxënësve dhe profesorëve të Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, Shkollës së Mesme Profesionale “Sveti Sava” nga Bujanoci dhe Shkollës së Mesme Teknike nga Presheva.
Në këtë aktivitet kulturor morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale, ndër ta përfaqësuesi i Shërbimit të Trupit Koordinues për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, Bjetulla Mustafa, drejtoresha e Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq”, Albena Mustafa, drejtoresha e Bibliotekës “14 Nëntori”, Jelena Simiq, si dhe profesorët Hysen Saqipi, Ivana Mitroviq, Fitore Jahiu, Ahmet Ahmeti dhe të tjerë.
Koordinatori i projektit, Sevdail Hyseni, theksoi se qëllimi kryesor i projektit është forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve shqiptarë, serbë dhe romë në komunën e Bujanocit, përmes krijimit të hapësirave ku të rinjtë mund të njihen, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti, si dhe i tryezave, ligjëratave dhe punëtorive të organizuara deri më tani në Bujanoc dhe Medvegjë, është forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve të komuniteteve shqiptare, serbe dhe rome, duke krijuar hapësira ku ata mund të njihen, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri”, tha Hyseni.
Ai shtoi se pjesë e aktivitetit ishte edhe prezantimi i një video-festivali me tri këngë dhe valle popullore shqiptare, serbe dhe rome, të përgatitur nga koreografi Burhan Limani, i punësuar në Shtëpinë e Kulturës “Vuk Karaxhiq” dhe kryetar i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Zëri i Luginës” nga komuna e Bujanocit.
“Ky video-festival nuk është vetëm një dritare drejt traditave tona kulturore, por edhe një ftesë për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim”, theksoi Hyseni.
Për rëndësinë e dialogut ndërkulturor në një mjedis multietnik foli edhe Ivana Mitroviq, profesoreshë në Shkollën e Mesme Profesionale “Sveti Sava”, e cila vuri theksin në rëndësinë e krijimit të hapësirave të përbashkëta për të rinjtë e komuniteteve të ndryshme.
Ndërkaq, Hysen Saqipi, profesor në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi”, dhe Fitore Jahiu, profesoreshë në Shkollën e Mesme Teknike në Preshevë, folën për rolin e aktiviteteve krijuese dhe kulturore në promovimin e respektit të ndërsjellë, tolerancës, mirëkuptimit dhe pranimit të diversitetit kulturor si një vlerë e përbashkët e shoqërisë.
Përmes punëtorive kreative, aktiviteteve kulturore-artistike dhe prezantimit të traditave të komuniteteve të ndryshme, projekti “Urat e Kulturës – Dialogu ndërkulturor përmes artit dhe traditës” synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet të rinjve dhe të kontribuojë në forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërkulturore në komunat e Luginës së Preshevës.
Në përmbyllje të aktivitetit u shfaq video-festivali në ekranin e vogël, i cili solli këngë dhe valle popullore shqiptare, serbe dhe rome, të përgatitura nga koreografi Burhan Limani.

COMMENTS