HomeNë fokus

Shërbimi i Trupit Koordinues vazhdon të insistojë në dialog institucional

Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në bashkëpunim me Ministrinë për të

Mustafa kërkon nga qeveria zbatimin e “Planit 7 pikësh”
Historike: Vashat e KB Elita plasohen në nivel më të lartë garash
Sinani fton Lajçakun të vizitojë Luginën: Keqardhje që nuk i ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi

Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në bashkëpunim me Ministrinë për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për organizimin e një takimi me ministrin Demo Berisha, me qëllim shqyrtimin e çështjeve me rëndësi për pakicën kombëtare shqiptare dhe avancimin e dialogut institucional.

Nisma për mbajtjen e këtij takimi erdhi pas takimit që ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, zhvilloi më 6 korrik 2026 me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin. Sipas njoftimit, gjatë atij takimi Rexhepi paraqiti disa kërkesa që i cilësoi si veçanërisht të rëndësishme për pakicën kombëtare shqiptare. Për këtë arsye, Mitroviq propozoi organizimin e një takimi të përbashkët me ministrin Demo Berisha. Gjithashtu thuhet se gjatë bisedës nuk pati kundërshtime ndaj këtij propozimi dhe nuk u bë e ditur se kryetari i KKSH-së nuk do të merrte pjesë në një takim të tillë.

Duke u nisur nga kjo, Shërbimi i Trupit Koordinues, në bashkëpunim me ministrinë përkatëse, organizoi takimin, i cili ishte caktuar të mbahej më 13 korrik 2026 në Pallatin e Serbisë.

Megjithatë, sipas njoftimit, Shërbimi mori një njoftim me shkrim nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, se ai nuk do të merrte pjesë në takimin e caktuar.

Shërbimi i Trupit Koordinues shpreh keqardhje që nuk u shfrytëzua mundësia për t’i diskutuar drejtpërdrejt me ministrin çështjet që vetë kryetari i KKSH-së kishte ngritur më herët, si dhe për të shqyrtuar, përmes dialogut institucional, mundësitë për zgjidhjen e tyre.

Në njoftim theksohet se organizimi i takimeve të tilla, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe institucioneve kompetente, kërkon koordinim serioz dhe harmonizim të angazhimeve të të gjithë pjesëmarrësve. Për këtë arsye, sipas Shërbimit, është me rëndësi që raste të tilla të shfrytëzohen kur ekziston gatishmëria e institucioneve shtetërore për dialog të drejtpërdrejtë.

Në fund, Shërbimi i Trupit Koordinues thekson se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut institucional dhe se do të vazhdojë, në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë dhe ministritë kompetente, të ndërmarrë aktivitete për zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Gjithashtu, ai shpreh gatishmërinë për të mbetur partner në nxitjen dhe koordinimin e dialogut ndërmjet pushteteve lokale, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe institucioneve shtetërore, në interes të qytetarëve dhe forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues i Qeverisë së Serbisë.

COMMENTS