Ministria e Punëve të Brendshme e R. së Serbisë i ka dhënë epilog zhvillimeve të ndodhive në Bosilegrad, të datës 6 prill të këtij viti, me rastin

Ministria e Punëve të Brendshme e R. së Serbisë i ka dhënë epilog zhvillimeve të ndodhive në Bosilegrad, të datës 6 prill të këtij viti, me rastin e ndeshjes futbollistike midis ekipit vendës, Mlladost dhe mysafirëve të KF Tërnoci.
FOLonline nga burimet e veta merr vesh se policia ka kryer kontrollin e brendshëm dhe ka ardhur në përfundim se „ atë ditë nuk ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e pjesëtarëve të saj“.
Madje, siç kuptohet, hetimet kanë treguar se, sipas policisë, nuk ka pasur as ndonjë element të veprës penale.
Ky „kontroll i brendshëm „ i policisë bie ndesh me veprimet e pjesëtarëve të saj në ndeshjen e Bosilegradit.
Fillimisht, pjesëtarët e MPB-së janë futur në kornizat e fushës para se ndeshja të përfundojë.
Ky gjest nuk përkon me rregullat e futbollit dhe nuk ndodh gati se askund.
Grushtimi i futbollistit tërnocas, Veton Zeqiqi, nga ana e pjesëtarit të policisë ndodh në praninë e dhjetëra dëshmitarëve.
Drama s’mbaron me kaq. Zhveshtoret e ekipit mysafirë bastisen deri në imtësi me pretekst të kërkimit të armëve të ftohta.
Dhe krejt në fund, ekspedita e KF Tërnoci detyrohet të shkojë në Stacionin Policor të Bosilegradit për të dhënë deklarata.
Vërtetë, më 6 prill, në Bosilegrad kanë ndodhur gjëra të cilat përkojnë me skenarët e filmave holivudian.
Por ja që për MPB-në nuk paska pasur tejkalim të kompetencave.
A mos edhe kjo sipas thënies së vjetër, „Kadia të paditë, Kadia të gjykon“.
Ndryshe, Tërnoci dhe Mlladost Bosilegrad do të ndeshen nesër ( e diel). Por kësaj rradhe në fushën e „Agallarëve“.
Për këtë ndeshje, Federata dhe policia kanë paraparë masa të rrepta sigurie, sikur të ishte ndeshje e Champions League.
Organizatori, KF Tërnoci, ka paralajmëruar se sot do ta njoftoj publikun lidhur me protokolin e sigurisë.
COMMENTS