Kryetari i Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arbër Pajaziti, në dy vjetorin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në këtë komunë ka kritikuar qeveri
Kryetari i Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arbër Pajaziti, në dy vjetorin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në këtë komunë ka kritikuar qeverisjen aktuale duke theksuar se ajo mbahet nga kërcënimet dhe shantazhet, nga kompromiset, dhe si e tillë do të duhej të bie shpejtë.
Pajaziti ka paraqitur kronoligjinë e funksionimit të pushtetit lokal ndërsa është shprehur se „treshja“ në pushtet në emër të shqiptarëve ka bërë kompromise të shumta e që si qëllim kishte interesat e ngushta.
Postimi i Pajazitit:
Treshja PD-PVD-LPD dhe qeverisja përshesh e tyre në Bujanoc
Kanë kaluar dy vjet nga zgjedhjet lokale të 21 qershorit të vitit 2020, të mbajtura dhe në Komunën e Bujanocit. Aso kohe këto zgjedhje rezultuan jo të kënaqshme për Alternativën për Ndryshim, duke na besuar vetëm rreth 1 mijë e 800 persona. Platforma jonë politike si dhe fushata zgjedhore, ishin krejtësisht ndryshe nga ato tradicionalet, të partive të tjera.
U angazhuam fuqishëm për të shënuar një rrjedhë tjetër të politikëbërjes në Bujanoc.
Fushatën tonë e karakterizoi numri 21. Me aq sa bëhet një shumicë në Kuvendin komunal, duke pretenduar në një shumicë gjithëshqiptare.
Mirëpo, nga 41 këshilltarë sa ka gjithsej Kuvendi i Bujanocit, arritëm të merrnim vetëm 3.
Dhe fuqia e numrit 3, nuk përkufizonte fuqinë përfaqësuese tonën, meqë lojërat politike të partive të tjera, na lënë jashtë çdo lloj procesi vendimmarrës.
Është e vërtetë se Alternativa për Ndryshim i ofroi votat e 3 këshilltarëve, pa këmbim të ndonjë posti publik, në një përbërje gjithëshqiptare.
Por, partitë: Partia Demokratike, Partia për Veprim Demokratik dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, nuk i konsideruan, as nuk i konsiderojnë të nevojshme votat tona.
Ato shfrytëzuan deklaratën tonë, për të mbështetur pa këmbim të diçkaje shumicën shqiptare, në mbulim të kompromiseve të tyre.
Ne vlerësuam se duhej të jepnim votat, për ta arritur një marrëveshje të shpejtë dhe të mirë për qytetarët dhe kjo nuk ndodhte përshkak të mosdakordimeve të shumta ndërmjet PD-PVD, shkaku i posteve.
Dhe, shkaku i kompromiseve të fshehta midis tyre.
Kemi lënë mbrapa nesh historitë e drejtuesve të këtyre partive politike gjatë pushteteve të kaluara, të cilat ndërlidhen me keqpërdorime të shumta, korrupsionin, nepotizmin dhe familjarizmin, duke dashur të sjellim politikë korrekte për qytetarët dhe t’ia kthejmë atyre dinjitetin dhe mirëqenien.
Sot, vlerësojmë se qeverisja dy vjeçare e PD-PVD-LPD, mbahet nga kërcënimet dhe shantazhet, nga kompromiset, dhe si e tillë do të duhej të bie shpejtë.
Qytetarët shqiptarë të Bujanocit, për 20 vjet janë qeverisur vetëm nga dy persona, nga: Nagip Arifi dhe Shaip Kamberi, dhe si rrjedhojë e qeverisjes së keqe të tyre, sot, shqiptarët jetojnë mes varfërisë-ikjes-përçarjes.
Deri në fund të kësaj qeverisjeje, Arifi dhe Kamberi do të shënojnë periudhën më të errët të shqiptarëve të Bujanocit, duke u mbajtur në mend vetëm për ditë të këqija.
COMMENTS