Shkruan : Jeton Ismaili Një hije e zezë mbi donacionin historik Kërkuam sa kërkuam, qamë, gati se u gjugjëzuam dhe desh e u bëmë lypsarë! “
Shkruan : Jeton Ismaili
Një hije e zezë mbi donacionin historik
Kërkuam sa kërkuam, qamë, gati se u gjugjëzuam dhe desh e u bëmë lypsarë!
“ Kosova nuk po na ndihmon, shihni se çfarë po bënë Serbia për popullin e vet në Mitrovicë e gjetiu….”, ishin pothuj se fjalët që dilnin nga goja e çdo shqiptari të Luginës në dekadën e fundit.
Hidhërimi me Prishtinën zyrtare e poashtu edhe me Tiranën, ishte i arsyeshëm.
Por, ja që gjërat filluan të ndryshojnë.
Gjatë një mbledhje të qeverisë së Republikës së Kosovës më muajin prill të vitit 2020 merret një vendim, që për Luginëm nuk ka se si të quhet ndryshe pos historik.
Ndoshta nuk është me rëndësi shuma, e as përbërja politike e qeverisë kosovare, se sa vullneti i shprehur për t’i dalë në ndihmë bashkëkombasve në një pjesë tjetër të kufirit.
Kosova nuk e kishte edhe aq luksin për të ndarë mjete jashta kufijëve të saj, meqë edhe vet po ballafaqohej me një krizë, me siguri më të rëndën nga viti 1999. Megjithatë gadishmëria e kabinetit qeveritar, të gjithë neve në Luginë na bëri të ndihemi krenarë dhe jo të lënë pas dore në kohë pandemie.
Por, fillimi i zbatimit të donacionit në terren, gati se na theu krahët që aq shumë i ndjemë me të arritur lajmi nga Prishtina.
Nisëm të sillemi si ajo bagëtia e keqe e cila në fund e derdh enën e qumshtit të grumbulluar.
Fjalë e të thëna, sa të vërteta e aq ma shumë të shpifura, muhabete e llafe të kafesë e të çajit në ndejat e pas Iftarit.
Komente të porositura në rrjetet sociale me direktiva partiake.
Është për ta ardhur keq se si në këtë fushatë turpëruese u përfshinë liderë institucional dhe partiak.
Është e palogjikshme se si njëra komunë akuzon tjetrën për ( keq ) menaxhimin e mjeteve të donacionit.
Thua se Lugina jonë përbëhet nga dhjetëra komuna dhe na mbyti xhelozia për nga zhvillimi dhe mirëqenia.
E shkreta ka vetëm dy: Bujanocin dhe Preshëvën, dhe shumë me zor një çerek Medvegje.
Po ta kritikosh tjetrën, madje pa fakte, nuk do të thotë se e ke lavdëruar apo do të ketë dobi e ytja.
Përkundrazi, do të dërgosh sinjale të panevojshme përçarëse.
Kosova nuk ka nevojë për mesazhe të këtilla nga Lugina, sidomos jo nga ata që vetëm kohëve të fundit kanë filluar t’a ndjejnë aromën e saj.
Ajo nuk është aspak aromë lulesh, por mundi, sakrificash, gjaku…
Nuk i takon dikujt që përmes Luginës të tentojë të “ krijojë “ politika edhe në Kosovë.
Kosova nuk ka nevojë për “ shpëtimtarë “ të tillë.
Nëse ne themi se me mjetet e taksapaguesve kosovarë po blemë makina të policisë, ateherë dikush mund të thotë se po blemë edhe tanke për ushtrinë.
Në fund të fundit, kujt i shërbejnë dëklarata të tilla? Kosovës me siguri se jo.
Ajo nuk ka nevojë të na selektojë në preshevarë kursimtarë dhe atdhetarë dhe në bujanocas hajdutë e tradhtarë.
Qëllimi i plasimit të një skenari të tillë nuk pinë ujë.
Kjo i ngjanë një parashutisti sharlatan të cilin era asesi se lë të zbres në “ tokën e premtuar “, kështu që në fund kthehet andej nga ka ardhur.
COMMENTS