Pas rivotimit të së dielës në Breznicë dhe Samolicë dhe përmbylljes së procesit zgjedhor për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), Partia për Veprim

Pas rivotimit të së dielës në Breznicë dhe Samolicë dhe përmbylljes së procesit zgjedhor për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka ripërsëritur ofertën për bashkëqeverisje, duke kërkuar nga subjektet politike shqiptare që të deklarohen deri sot, më 24 nëntor.
PVD, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar një model të bashkëqeverisjes të bazuar në gjithëpërfshirje, bashkëpunim dhe ndarje të përgjegjësive politike e institucionale.
Deri në këto momente, nga subjektet e tjera politike, vetëm Alternativa për Ndryshim (APN) është shprehur në favor të një qeverisjeje gjithëpërfshirëse.
Bartësi i listës së APN-së, Levent Qazimi, menjëherë pas zgjedhjeve ka theksuar se duhet të respektohen vullneti i votuesve dhe parimi i fituesit të zgjedhjeve.
“Angazhohem për një KKSH gjithëpërfshirës, ku bashkëpunimi politik dhe profesionalizmi të jenë mbi interesat partiake. KKSH-ja nuk duhet të jetë institucion për ndarjen e posteve, por për mbrojtjen e identitetit, avancimin e të drejtave dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve”, është shprehur Qazimi.
Ndryshe nga APN, Lëvizja për Reforma (LR) nuk e mbështet modelin e qeverisjes së unifikuar në KKSH.
Kryetari i këtij subjekti, Sami Salihu, ka vlerësuar se përgjegjësia për drejtimin e Këshillit i takon fituesit të zgjedhjeve dhe partnerëve të tij të mundshëm.
“Ashtu si në pushtetin lokal, edhe në KKSH nevojitet një opozitë demokratike, konstruktive dhe aktive. Opozita nuk është pengesë për qeverisjen, por garanci për pluralizëm, transparencë, llogaridhënie dhe rezultate më të mira në shërbim të shqiptarëve”, ka deklaruar Salihu.
Ndërkohë, partneri parazgjedhor i LR-së, Partia Demokratike (PD), ende nuk është deklaruar publikisht lidhur me ofertën e PVD-së. Pa një qëndrim publik deri në këto momente vazhdojnë të mbeten edhe Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Mbetet të shihet nëse gjatë ditës së sotme, kur edhe përfundon afati i përcaktuar nga PVD, subjektet e tjera do të bëjnë publike qëndrimet e tyre.
Në përbërjen e re të KKSH-së, e cila numëron 29 anëtarë, mandatet janë ndarë si vijon:
* PVD–AL – 10 mandate
* LPD–PDSH – 9 mandate
* APN – 5 mandate
* PD–LR – 5 mandate
Për krijimin e shumicës në KKSH nevojiten së paku 15 mandate.
COMMENTS