HomePolitikë

Kamberi refuzon mirënjohjen e Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë

Deputeti shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka refuzuar mirënjohjen e dërguar nga Trupi Koordinues i Qev

Bursa për nxënës të shkollave të mesme
Pajaziti në takim tek kryetari i Lipjanit
NJË PIKË PËR 70 MINUTA ME NJË LOJTAR MË PAK

Deputeti shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka refuzuar mirënjohjen e dërguar nga Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me rastin e 25-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Në një reagim publik, Kamberi thekson se, ndonëse ishte përzgjedhur si një nga përfituesit e mirënjohjes për kontribut në paqe dhe stabilitet, ai nuk mund dhe nuk dëshiron të jetë mbajtës i një vlerësimi nga një institucion që, sipas tij, është larguar ndjeshëm nga qëllimet për të cilat është themeluar.

Sipas Kamberit, Trupi Koordinues ka dështuar veçanërisht në dy misione kryesore: integrimin e komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore të Serbisë dhe zhvillimin ekonomik të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai thekson se prej vitesh nuk po zbatohet në mënyrë të plotë dhe konsekuente Plani shtatë pikësh, ndërsa buxheti i këtij institucioni ka mbetur praktikisht i pandryshuar që nga viti 2015, duke ulur realisht kapacitetet zhvillimore të komunave për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve.

Një shqetësim shtesë, sipas deputetit, është relativizimi apo mohimi publik i kërkesave politike të shqiptarëve nga drejtuesit aktualë të Trupit Koordinues, kërkesa këto që janë pranuar edhe nga vetë Qeveria e Serbisë përmes Planit shtatë pikësh (2013) dhe Planit të Veprimit (2022).

Kamberi e konsideron veçanërisht të papranueshme ndarjen e mirënjohjes për Aleksandar Vulin, ish-ministër dhe ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, të cilin e cilëson si figurë publike me retorikë të hapur antishqiptare dhe pa asnjë lidhje me themelimin e Trupit Koordinues apo proceset e paqes në këto komuna.

“Për të gjitha këto arsye, nuk pranoj të barazohem në të njëjtën kategori mirënjohjeje me një person që shfaq hapur albanofobi dhe mosdurim ndaj komunitetit shqiptar”, ka deklaruar Kamberi, duke bërë të ditur se ia ka kthyer zyrtarisht mirënjohjen Trupit Koordinues.

Në fund, ai ka riafirmuar përkushtimin e tij për paqe, barazi institucionale, respektimin e të drejtave të komunitetit shqiptar dhe zbatimin e plotë të detyrimeve që Republika e Serbisë ka marrë përsipër.

COMMENTS