Dukuria e shpijunllëkut, për fat të keq, nuk është e re në mjedisin tonë. Ajo ka qenë gjithmonë prezente, herë e heshtur e herë e hapur, por gjith

Dukuria e shpijunllëkut, për fat të keq, nuk është e re në mjedisin tonë. Ajo ka qenë gjithmonë prezente, herë e heshtur e herë e hapur, por gjithnjë me të njëjtin qëllim: të pengojë çdo nismë pozitive.
Thuhet shpesh se shqiptarët mund t’i falin shumë gjëra, por jo edhe suksesin e tjetrit. Megjithatë, sado që disa veprime të ulëta mund të “kuptohen” në këtë realitet të ashpër, fakti që dikush ua dëshiron të keqen fëmijëve është diçka që vështirë se mund të përfytyrohet.
Kësaj here, në shënjestër të dashakeqëve ka qenë parku i fëmijëve në Tërnoc dhe lodrat e vendosura aty, një hapësirë e menduar thjesht për buzëqeshjen, lojën dhe gëzimin e më të vegjëlve. Një vend ku fëmijët e Tërnocit, njësoj si fëmijët kudo në botë, të kenë mundësinë të argëtohen dhe të ndihen të lirë.
FOLonline, nga burime të sigurta, ka mësuar se në Ndërmarrjen Publike “Srbija Vode”(Ujërat e Serbisë) , me seli në Beograd, kanë mbërritur letra anonime ku atakohet pikërisht parku i fëmijëve në Tërnoc. Sipas këtyre burimeve, autori ose autorët e letrave kanë “numëruar” se në atë zonë janë vendosur lodra, ulëse, gjelbërim dhe elemente të tjera, duke pretenduar se ato përbëjnë rrezik për zonën.
Kjo situatë hap një pyetje të madhe dhe shqetësuese: kush qëndron pas këtyre letrave anonime? A janë autorët dikush nga Llopardinca, Bozhinjevci, apo, edhe më keq, dikush nga mesi ynë?
Dhe çfarë përfitojnë këta dashakeqë nga ky shpijunllëk i pastër? Kujt i pengon që fëmijët e Tërnocit të kenë një park, një hapësirë loje dhe gëzimi?
Se kjo çështje po tentohet të shndërrohet në një “punë të madhe”, flet edhe një fakt tjetër shqetësues.
Përveç “Srbija Vode”, në këtë rast është përfshirë edhe MPB-ja e Serbisë. Burimet e FOLonline bëjnë të ditur se kjo ministri ka nisur hetime mbi bazën e letrave anonime dhe nuk përjashtohet mundësia e inicimit të procedurave penale ndaj autorëve të ndërtimit të parkut të fëmijëve në Tërnoc. Madje, sipas të njëjtave burime, “hetimet” mund të shkojnë edhe më thellë, duke përfshirë nën akuzë të gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e këtij parku.
Në gjithë këtë histori, “kujdestari” i pronës publike, i cili paska informuar Ndërmarrjen Publike “Srbija Vode”, po shfaqet tepër i zellshëm në krijimin e situatave keqbërëse, veçanërisht kur në shënjestër janë fëmijët. Veprime të tilla nuk mund të quhen ndryshe përveçse armiqësore ndaj komunitetit dhe të ardhmes së tij.
Në fund, mbetet e qartë se ky nuk është thjesht një sulm ndaj disa lodrave në një park. Ky është një sulm ndaj idesë se edhe fëmijët e Tërnocit meritojnë gëzim, lojë dhe një fëmijëri normale. Dhe ata që përpiqen t’ua marrin këtë, me letra anonime e shpifje, po dëshmojnë fytyrën e vërtetë të shpijunllëkut dhe gjakrpishësinë e tyre të pastër.
COMMENTS