HomeNë fokus

Drejtuesit e Bujanocit takim me kryediplomatin shqiptar

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar sot në Tiranë një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë,

Ja kush e merr “përgjegjësinë” për vendosjen e bilbordeve…
Lokalet deri në ora 20:00
Pajaziti: Komuna e Bujanocit e detyruar të paguajë mbi 13 milionë dinarë për rrugën e fshatit Rakoc

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar sot në Tiranë një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit Komunal, Driton Rexhepi, si dhe Levent Qazimi, ndihmës i kryetarit të komunës.

Sipas Pajazitit, gjatë bisedës u vlerësua angazhimi i diplomacisë shqiptare për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës në forume dhe takime ndërkombëtare, si dhe roli i shtuar i shtetit shqiptar në rajon përmes Ambasadës së Shqipërisë në Beograd.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc. Delegacioni nga Bujanoci njoftoi ministrin Hoxha për komunikimet dhe angazhimet me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, ndërsa u diskutua edhe për projektet zhvillimore në komunë dhe mundësitë për mbështetje të re nga Tirana zyrtare.

Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe trajtimi i fëmijëve me nevoja të veçanta. Sipas kryetarit Pajaziti, është siguruar mbështetje për financimin e një projekti që synon përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për këtë kategori.

Gjatë takimit u theksua nevoja për koordinime të mëtejshme në funksion të avancimit të pozitës së shqiptarëve në Luginë, ndërsa ministri Hoxha ritheksoi se çështjet që prekin shqiptarët e rajonit — nga pasivizimi i adresave deri te integrimi institucional — mbeten prioritet i diplomacisë shqiptare dhe do të vazhdojnë të trajtohen edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe për potencialin turistik të Luginës së Preshevës dhe rolin që diaspora mund të ketë në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e rajonit.

COMMENTS