HomeAktuale

Delegacioni i Ambasadës së SHBA në Bujanoc

  Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd kanë qëndruar sot në Bujanoc, ku kanë zhvilluar takime me përfaqësues të i

PVD me ftesë publike për takim të premten
Kamberi: Formimi i institucioneve të reja të shoqërohet me sanksione ndaj Rusisë
Si të bëheni pjesë në Planin e Veprimit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale

 

Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd kanë qëndruar sot në Bujanoc, ku kanë zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve lokale, Këshillit Kombëtar Shqiptar, Trupit Koordinues dhe Partisë Demokratike.

Delegacioni amerikan përbëhej nga Pepijn Helgers, zv.këshilltar politik, Joseph P. Gayeski, këshilltar politik, si dhe Ksenija Lazović, zyrtare e Seksionit Politik.

Pajaziti: Në fokus përfaqësimi i shqiptarëve në institucione

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka pritur në zyrën e tij përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën dhe çështjet me rëndësi për shqiptarët e Luginës.

Sipas Pajazitit, në takim është diskutuar për integrimin më të madh të shqiptarëve në institucionet shtetërore, me theks të veçantë në polici dhe institucionet e tjera publike.

Pajaziti ka vlerësuar mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të Ambasadës së SHBA-së për Bujanocin dhe çështjet që prekin qytetarët e kësaj komune.

KKSH: Pasivizimi ndër temat kryesore

Delegacioni amerikan është takuar edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Sipas Rexhepit, pasivizimi i adresave ishte ndër temat kryesore të takimit. Ai tha se shqiptarët e Luginës përballen me nënpërfaqësim institucional dhe me moszbatim të marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Serbisë.

Rexhepi theksoi gjithashtu se numri i shqiptarëve në polici, gjyqësor dhe institucione të tjera shtetërore, sipas tij, është më i ulët krahasuar me 15 vite më parë.

Trupi Koordinues prezantoi fushatën për pasivizimin

Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit amerikanë u takuan edhe me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitrović.

Sipas këtij institucioni, kjo ishte vizita e parë e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane në jug të Serbisë.

Në takim u prezantuan aktivitetet e Trupit Koordinues në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me theks të veçantë te fushata informuese për pasivizimin e adresave.

Arifi kërkoi mbështetje amerikane për çështjet shqiptare

Delegacioni amerikan është pritur sot edhe në zyrën e Partisë Demokratike nga kryetari Nagip Arifi.

Arifi bëri të ditur se me diplomatët amerikanë ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Luginë, me theks të veçantë te ngecja e implementimit të Planit 7-pikësh, të miratuar nga Qeveria e Serbisë.

Sipas tij, në takim është kërkuar vëmendje dhe mbështetje nga Ambasada Amerikane për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, veçanërisht në parandalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Republikës së Kosovës, punësimin në organet shtetërore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Arifi tha se mbetet me shpresë që Qeveria e ardhshme e Serbisë ta ndryshojë diskursin politik ndaj kërkesave të shqiptarëve të Luginës.

 

COMMENTS