Deputeti shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York, në kuadër të delegacionit të Kryeministrit të Kosovës
Deputeti shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York, në kuadër të delegacionit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Lawler aktualisht është edhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Sipas Kamberit, në takim është diskutuar edhe gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me theks te përfaqësimi i tyre në institucionet publike dhe çështja e pasivizimit të adresave.
“E njoftuam kongresistin Lawler se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende përballen me diskriminim institucional. Përfaqësimi i tyre në institucione mbetet shumë larg në raport me popullsinë”, ka shkruar Kamberi.
Një pjesë e veçantë e bisedës, sipas tij, i është kushtuar pasivizimit të adresave, për të cilin Kamberi thotë se prek mijëra shqiptarë dhe ka pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi.
Kamberi ka theksuar se me kongresistin amerikan është diskutuar edhe mundësia e adresimit të kësaj çështjeje.


COMMENTS