Bujanoci është pasuruar me një specialist të ri në fushën e endokrinologjisë. Dr. Veton Salihi nga Tërnoci ka përfunduar me sukses specializimi

Bujanoci është pasuruar me një specialist të ri në fushën e endokrinologjisë.
Dr. Veton Salihi nga Tërnoci ka përfunduar me sukses specializimin në Klinikën e Endokrinologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Gjatë këtij rrugëtimi profesional, Dr. Salihi është udhëhequr nga mentorë dhe profesionistë të shquar të fushës. Si mentor klinik i tij ishte dr. Bardhyl Gashi, ndërsa në Komisionin Vlerësues bënin pjesë Prof. Asoc. dr. Elton J. Bahtiri, Ass. dr. sci. Merita Emini-Sadiku dhe Ass. dr. sci. Rina Tafarshiku, të cilët kontribuan në vlerësimin dhe avancimin e tij profesional.
Në një postim publik pas përfundimit të specializimit, Dr. Salihi shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar:
“Ky është një rrugëtim sa sfidues, aq edhe fisnik.”
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e mentorit të tij, duke u shprehur: “Faleminderit për durimin, mbështetjen e pakursyer dhe për faktin që ndatë me mua jo vetëm njohuritë shkencore, por edhe etikën e lartë profesionale.”
Studimet themelore Dr. Veton Salihi i ka përfunduar në Tiranë, ndërsa prej gati shtatë vitesh është pjesë e stafit mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, ku ka kontribuar vazhdimisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Me përfundimin e këtij specializimi, Dr. Veton Salihi aktualisht është endokrinologu i vetëm në komunën e Bujanocit, çka përbën një zhvillim të rëndësishëm për sistemin shëndetësor lokal dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për trajtim në këtë fushë.

COMMENTS