HomeNë fokus

Shefi i Departamentit për Siguri pranë OSBE-së për vizitë në Bujanoc

Shefi i Departamentit për Siguri pranë OSBE-së, Valentin Mikhailov, ka qëndruar sot në Bujanoc ku ka takuar drejtues të institucioneve dhe përfaqë

Musliu pritet në Bashkinë e Gjirokastrës
Imunizohen Nagip Arifi dhe Enver Ramadani
Qveria e Kosovës ndanë 50.000 euro për KKSH-në

Shefi i Departamentit për Siguri pranë OSBE-së, Valentin Mikhailov, ka qëndruar sot në Bujanoc ku ka takuar drejtues të institucioneve dhe përfaqësues politik.

Deklarimi i kryetarit të komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti lidhur me takimin:

Prita sot në një takim Shefin e Departamentit të Bashkëpunimit për Siguri në Misionin e OSBE në Serbi, Valentin Mikhailov, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit diskutuam në përgjithësi për problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, me theks të veçantë në integrimin institucional dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Një vëmendje të posaçme i kushtuam nevojës për përfshirjen e kuadrove shqiptare në polici. Potencuam se në konkurset e ardhshme kuotat për shqiptarët duhet të jenë të rezervuara, duke u bazuar në përfaqësimin proporcional të popullsisë.

Po ashtu, u dakorduam që Komuna, OSBE dhe MPB të krijojnë një ekip të veçantë, i cili do të merret me monitorimin e të gjithë procesit, nga përzgjedhja e kandidatëve e deri në përfundimin e trajnimit të tyre.

Si pushtet lokal, shprehëm gatishmërinë tonë për të mbuluar shpenzimet e kandidatëve gjatë gjithë procesit, me qëllim që të rinjve tanë t’u krijohen mundësi sa më të favorshme për integrim në institucionet e sigurisë.

Në fund, riafirmuam orientimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin me OSBE si partner afatgjatë në rajon, në funksion të avancimit të të drejtave, përfaqësimit institucional dhe forcimit të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Prononcimi i kryetarit të KKSH Enkel Rexhepi:

Në Këshillin Kombëtar Shqiptar pritëm drejtorin për siguri në misionin e OSBE-së në Serbi, Valentin Mikhailov, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, me të cilët diskutuam për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Luginën e Preshevës dhe veçanërisht për mungesën e integrimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë.

Refuzimi i vazhdueshëm nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme për të pranuar dhe rekrutuar shqiptarë në polici tashmë për më shumë se një dekadë, nuk përbën vetëm problem të integrimit institucional, por po shndërrohet seriozisht edhe në çështje sigurie për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Shembulli më i fundit është konkursi i fundit për policë, ku nga afro 30 kandidatë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, nuk u pranua asnjë.

Nga mbi 90 policë shqiptarë sa kishte vetëm para 10 viteve në komunën e Bujanocit, sot ky numër ka rënë në rreth 50, ndërsa për shkak të pensionimit të vazhdueshëm të policëve shqiptarë ekzistues, shumë shpejt ky numër do të mbetet simbolik. Gjithashtu gjendja e njëjtë mbretëron në Preshevë dhe Medvegjë.

Pa një program të mirëfilltë të policisë multietnike, si ai i fasilituar nga OSBE-ja në fillim të viteve 2000 pas Marrëveshjes së Konçulit, ku qindra shqiptarë u integruan në polici, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë dhe integrim të mjaftueshëm të shqiptarëve në institucionin që kujdeset për sigurinë e mbi 60 mijë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Po ashtu, u ngrit edhe shqetësimi për mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, ku numri i tyre është reduktuar në nivele simbolike, duke krijuar ndjenjë pasigurie dhe mungesë besimi institucional tek shqiptarët autoktonë që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Deputeti Shaip Kamberi lidhur me takimin me zyrtarin e OSBE-së :

Sot në Bujanoc takova drejtorin e Departamentit për Siguri në misionin e OSBE-së në Serbi, Valentin Mikhailov.

Bashkëbiseduam për peshën dhe rëndësinë që ka ruajtja e policisë multietnike në Luginën e Preshevës.

E njoftova z. Mikhailov se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tash e një kohë ka mbyllur dyert për punësimin e të rinjve shqiptarë dhe potencova faktin se janë bërë më shumë se 10 vite që nga punësimi i shqiptarit të fundit në stacionin policor në Bujanoc.

Po ashtu, e informova përfaqësuesin e OSBE-së për iniciativën që, së bashku me deputetët e SDA-së, kemi dorëzuar në Parlamentin Republikan. Kjo iniciativë synon inkuadrimin kolektiv të shqiptarëve në polici, ngjashëm me procesin që kishte ndodhur në vitin 2003.

Shpreha shqetësimin tim se, nëse vazhdon ky trend, në më pak se një dekadë shqiptarët në Luginë do të mbesin pa përfaqësim në polici. Kjo do ta rrezikonte seriozisht sigurinë e qytetarëve shqiptarë në këto komuna dhe do të na kthente në pikën zero, në fundin e viteve ’90, kur shqiptarët nuk ishin fare të përfaqësuar në polici.

Gjithashtu, shpreha gatishmërinë dhe vullnetin e plotë që, së bashku me OSBE-në, ta shtyjmë përpara iniciativën e ngritur në Parlament për inkuadrimin e shqiptarëve në polici dhe e sigurova përfaqësuesin e OSBE-së se shqiptarët e Luginës nuk do t’i ndalin përpjekjet e tyre për më shumë drejtësi dhe më shumë barazi.

COMMENTS