HomePolitikë

36 vjet nga themelimi i PVD-së

Partia për Veprim Demokratik po shënon sot 36 vjetorin e themelimit. Kryetari i saj, Shaip Kamberi, me këtë rast ka publikuar një postim në Fac

Çfarë bëri KKSH në vitin 2020?
Zgjedhjet parlamentare thellojnë hendekun: Akuza dhe gjuhë denigruese midis PVD-së dhe APN-së
Pajaziti me përfaqësuesit e MPB -së dhe OSBE-së rreth punësimit të shqiptarëve në polici

Partia për Veprim Demokratik po shënon sot 36 vjetorin e themelimit.

Kryetari i saj, Shaip Kamberi, me këtë rast ka publikuar një postim në Facebook:

Postimi i Kamberit :

36 VITE TË VEPRIM DEMOKRATIK

Nga rezistenca institucionale drejt barazisë, zhvillimit dhe dinjitetit!

Të dashur anëtarë të Partisë për Veprim Demokratik,

Të dashur simpatizantë,

Të nderuar bashkëqytetarë,

Më 19 gusht 1990, shqiptarët e Luginës së Preshevës morën një vendim historik: të organizohen politikisht dhe të ndërtojnë një rrugë të tyre institucionale për mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe interesave të tyre.

Sot, më 19 gusht 2026, bëhen 36 vite nga themelimi i Partisë për Veprim Demokratik.

36 vite janë një kohë e gjatë në jetën e një njeriu, por edhe një kapitull i rëndësishëm në historinë politike të një populli.

Gjatë këtyre viteve kemi kaluar nëpër periudha të vështira, kemi përjetuar presione, kriza, konflikte politike e shoqërore, kemi fituar dhe kemi humbur zgjedhje, kemi qeverisur në nivel lokal dhe kemi qenë në opozitë. Por, mbi të gjitha, kemi qëndruar.

Dhe pikërisht qëndrueshmëria është një nga vlerat më të mëdha të trashëgimisë sonë politike.

PVD nuk u themelua si një projekt për pushtet. U themelua si përgjigje ndaj një realiteti në të cilin shqiptarët kishin nevojë për përfaqësim, organizim dhe zë politik.

Organizuam Referendumin.

Zgjodhëm institucionet.

Morëm pjesë në zgjedhje edhe atëherë kur të tjerët zgjodhën bojkotin.

Qeverisëm komunat tona kur na u dha besimi i qytetarëve.

Ndërtuam institucione të rëndësishme të përfaqësimit shqiptar dhe, në një periudhë kur bojkotimi rrezikonte të linte shqiptarët pa përfaqësim institucional, kontribuuam në krijimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Përfaqësuam shqiptarët në nivel parlamentar, duke bërë gjithnjë që zëri ynë të kumbojë për të drejta, për demokraci e për liri.

Në periudhat më të vështira, kur konflikti i armatosur tronditi Luginën, qëndrimi ynë politik u përcaktua nga bindja se shqiptarët nuk mund të liheshin vetëm përballë padrejtësisë dhe diskriminimit.

Por sot duhet të kemi edhe guximin për të thënë një të vërtetë tjetër.

Pas 36 vitesh, shumë nga objektivat për të cilat u themelua PVD ende nuk janë realizuar.

Shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim institucional, me përfaqësim të pamjaftueshëm në institucionet shtetërore, me zhvillim të pabarabartë ekonomik, me probleme në arsim dhe përdorimin e gjuhës, me pasivizimin e adresave dhe me një proces të vazhdueshëm të largimit të të rinjve nga vendlindja.

Kjo është sfida jonë më e madhe.

Për 36 vite me radhë, një parti ka qëndruar në këmbë përballë një sistemi politik që nuk e ka zgjidhur problemin e diskriminimit të shqiptarëve.

Dështim do të ishte të ishim dorëzuar. Dështim do të ishte të kishim heshtur. Dështim do të ishte të kishim shkëmbyer të drejtat e shqiptarëve për një karrige në pushtet.

Ne nuk e bëmë këtë.

Asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e qeverisë qendrore të Serbisë. Por kjo nuk duhet parë vetëm si mungesë e pushtetit. Duhet parë edhe si dëshmi e një politike që nuk ka pranuar kurrë të bëhet pjesë e kompromiseve për pushtet në dëm të kauzës së përgjithshme.

Sot, pas 36 vitesh, nuk mjafton të themi se kemi histori.

Duhet të tregojmë se çfarë do të bëjmë me këtë histori.

Prandaj, PVD duhet të hyjë në një fazë të re.

Nga rezistenca në transformim.

Nga mbijetesa në barazi.

Nga përfaqësimi në rezultate.

Kjo është sfida jonë e re.

Një nga shtyllat e kësaj faze duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit me Kosovën e Shqipërinë.

Por partneriteti me Kosovën e Shqipërinë duhet të shkojë edhe më tej: drejt një koordinimi më të madh politik dhe diplomatik për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Njëkohësisht, ne duhet ta intensifikojmë ndërkombëtarizimin e pozitës sonë.

Shembulli i HR 6411 në Kongresin e Shteteve të Bashkuara tregon se çështja e shqiptarëve të Luginës mund të dalë nga kufijtë e debatit tonë lokal dhe të bëhet pjesë e vëmendjes së institucioneve ndërkombëtare.

Këtë rrugë duhet ta vazhdojmë me më shumë profesionalizëm, më shumë dokumentim dhe më shumë diplomaci.

Qëllimi ynë është i qartë: të drejtat e shqiptarëve në Luginë duhet të trajtohen në kuadrin e standardeve të njëjta dhe të barabarta që kërkohen për të gjitha komunitetet në rajon.

Në dialogun Kosovë-Serbi duhet të dëgjohet edhe zëri i shqiptarëve të Luginës.

Nëse kërkohet respektimi i të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, atëherë duhet të kërkohet respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Jo si kundërvënie ndaj një komuniteti tjetër.

Por si parim barazie.

Kjo është ajo që ne e quajmë simetri në respektimin e të drejtave.

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë,

Të dashur miq,

36 vite më parë, themeluesit e PVD-së nuk e dinin se sa e gjatë do të ishte rruga.

Por e dinin një gjë: shqiptarët kishin nevojë për një zë politik që nuk do të dorëzohej.

Sot, pas 36 vitesh, ai zë vazhdon të jetë i nevojshëm.

Ndoshta sfidat kanë ndryshuar. Por misioni ynë themelor ende nuk ka përfunduar.

Prandaj, në këtë ditë përvjetori, dua t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që gjatë këtyre 36 viteve kanë kontribuar në PVD.

Dua ta faleminderojë kryetarin e parë të PVD-së Riza Halimin. Dua t’i faleminderojë të gjithë themeluesit e PVD, të gjithë përfaqësuesit e PVD ndër vite, të gjithë bartësit e funksioneve të kohës. Ata që janë gjallë e ata që nuk janë më në mesin tonë!

Çdo votues veç e veç. Çdo aktivist të sinqertë!

Faleminderit të gjithë atyre që kanë punuar, sakrifikuar, kandiduar, votuar dhe mbështetur partinë.

Të gjithë atyre që kanë qëndruar edhe në ditët kur ishte më lehtë të largoheshe.

Dhe mbi të gjitha, familjeve të tyre, që kanë përballuar bashkë me ta barrën e angazhimit politik.

Përveç faleminderimit për gjeneratat e para të PVD-së dua të inkurajojë gjeneratat që na pasojnë që të vazhdojnë këtë rrugë të nisur 36 vite më parë.

Të angazhohen shumë. Të punojnë pa ndalur. Të besojnë se për drejtësi dhe barazi ia vlenë.

Ky përvjetor është i juaji.

Le ta përkujtojmë sot, e le ta festojmë historinë tonë me krenari, në shtator, të gjithë bashkë!

E ardhmja është përgjegjësi. PVD nuk duhet të jetë vetëm partia që kujton atë që ka bërë.

Duhet të jetë partia që tregon se çfarë do të bëjë më tej.

36 vite rezistencë na kanë sjellë deri këtu.

Tani na duhet vizioni për 36 vitet e ardhshme.

Faza e parë ishte mbijetesa.
Faza e dytë është barazia.
Faza e tretë është zhvillimi.

Dhe rruga drejt saj nënkupton rezistencë. Integritet. Partneritet. Simetri. Zhvillim.

Gëzuar 36-vjetorin, Partia për Veprim Demokratik!

Gëzuar të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj!

Uroj që vitet që vijnë të jenë vite të forcimit të PVD-së, të bashkimit të shqiptarëve rreth interesave të tyre dhe, mbi të gjitha, vite të një të ardhmeje më të mirë për Luginën tonë.

Rruga vazhdon.

Beteja politike e shqiptarëve vazhdon.

Dhe ne do të vazhdojmë të jemi në këtë rrugë.

Urime 36-vjetori!

COMMENTS