HomeNë fokus

Serbia refuzon vizitën e ministrave në Luginë, pasojnë reagimet

Shteti i Serbisë ua ka refuzuar kërkesat për vizitë në Luginë  katër ministrave të Kosovës, Liburn Aliut, Arbërie Nagavcit, Hekuran Muratit dhe Ha

Paguhen 14 milionë dinarë për studentë
Cila është ndihma e radhës nga Shqipëria?
Kujdes: Ja çka i bënë Covidi mushkërive tuaja, përvojat nga Bujanoci dhe Presheva

Shteti i Serbisë ua ka refuzuar kërkesat për vizitë në Luginë  katër ministrave të Kosovës, Liburn Aliut, Arbërie Nagavcit, Hekuran Muratit dhe Hajrullah Çekut.

Siç ka njoftuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, Serbia ua ka refuzuar kërkesat pak para nisjes, dhe pa asnjë arsyetim.

“Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes. Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë”, ka shkruar ministri Aliu në Facebook.

Ministri ka thënë se ata kishin bërë kërkesë të rregullt, më 24 nëntor.

“Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin. Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike”, thotë ai.

Aliu ka theksuar tutje se refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ndërkohë, lidhur me këtë ndalesë kanë pësuar reagime në Luginë të cilat ua sjellim më poshtë:

Nagip Arifi-kryetar i Bujanocit

Ndjej keqardhje, por nuk jam i befasuar me veprimin e sotëm të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejes së vizitës së delegacionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës të përbërë nga katër ministra të saj.

Ajo që po vërtetohet çdo ditë e më shumë është se politika qendrore në Beograd është po e njejta si e para 20 viteve, veçse këmishat i kanë ndrruar.

Shqiprim Arifi-kryetar i APN-së

Në ditët më të rëndësishme për kombin shqiptar, dhe në prag të 28 Nëntorit, Serbia refuzon pa arsye kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë për Ministrat e Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati e Hajrullah Çeku.

Edhe këtë herë, Serbia dëshmon se ende nuk ka evoluar nga mendësia e viteve 90-ta, se nuk është e gatshme të prezantojë kulturën politike që edhe Bashkimi Evropian e kërkon.

Refuzimi i ministrave pa ndonjë arsye, është pengim i hapur për të mundësuar lidhjen e Kosovës me Preshevën e ndarë, me shqiptarët e diskriminuar ndër vite. Megjithatë, ky veprim nuk i shkëput lidhjet dhe nuk i shuan aspiratat për të qenë të bashkuar as politikisht e as në mënyrë vëllazërore.

Keqardhje për pamundësinë e takimit i cili padyshim do të ishte premtues dhe frytdhënës, për të na dëgjuar më nga afër për çështjet e problemet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Shaip Kamberi-deputet popullor

S,ka moment tjetër për veprim.

“RIGHT HERE, RIGHT NOW”.

Serbia nuk ka lejuar vizitën e sotme të katër ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Çfarë asimetrie të drejtash mes Luginës së Preshevës me serbët në Kosovë.

Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare.

Si pasojë e kësaj, Lugina e Preshevës, sot, në festën më të madhe kombëtare, mbetet rajoni vetëm i banuar me shqiptarë që nuk mundet lirshëm të realizojë të drejtën  dhe lirinë e përdorimit të simbolit kombëtar si pjesë të identittit kombëtarë.

Në këto rretha ndër më të rëndat nëpër të cilat po kalon, Lugina e Preshevës, ka nevojën si kurdoherë më parë për ndihmën shtetërore të  Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

S,ka moment tjetër për veprim, sot është nevoja, sot është edhe koha:

“Right Here, Right NOW”

Ragmi Mustafi-kryetar i KKSH:

Refuzimi i kërkesës për të vizituar Luginën e Preshevës të ministrave të Republikës së Kosovës – Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrulla Çeku nga Serbia nuk mund të gjykohet ndryshe, përveç mendësi e sistemit aktual në Serbi.

Ky refuzim si i tillë shpërfaq në mënyrë të natyrshme tendencën për të pamundësuar jo vetëm thjeshtë vizitën, por në radhë të parë për të pamundësuar bashkëpunimin e bashkërendimin e drejtpërdrejtë si dhe bashkëfestim e Festës së Flamurit 🇦🇱- 28 Nëntorin.

I indinjuar thellë, ndjejë keqardhje për ripasqyrimin e mentalitetit të shekullit të kaluar dhe pengimin e mundësisë për të bashkëbiseduar e festuar me miqtë e bashkëkombasit ministra.

Po një është e sigurt, aspiratat tona të përbashkëta nuk ka forcë që i ndal.

Shqiprim Musliu-zv/kryetar i Bujanocit

Pengesat për vizita dhe qasje direkte të resorit ministror të Qeverisë së Kosovës në atdheun tonë, sot edhe njëherë e dëshmuan se Serbia De-facto e De-jure nuk dëshiron raporte të mira me shqiptarët e Luginës.

Këto veprime të njejta ndër dekadash dëshmojnë që Serbia nuk shënon asnjë progres në raport me ne. Ajo edhe pse është e veshur me petkun e demokracisë, nën lëkurën e saj qëndron regjimi milloveshiqian, me verzion të ri.

Prandaj, edhe çdo hap që po mirret drejt zgjidhjes së problematikave dhe investimeve konkrete në vendin tonë, Serbia po e bën hapin prapa, duke bllokuar çdo proces. Këto veprime po e paraqesin fytyrën e vërtetë të saj, ku edhe bashkë me sistemin e pasivizimit dhe mugnesën e investimeve ajo shqiptarët  i dëshiron të asimiluar, të persekutuar, e të shpërngulur nga trojet e veta.

I kemi bërë ballë edhe në kohët më të vështira, ndërsa sot do të qëndrojmë edhe më stoik e më krenar. Këtu jemi e do të jemi.

Muharrem  Salihu-drejtues i AFEDS-it

Me keqardhje, në emër të AFEDS duam tu njoftojmë se Delegacioni i Qeverisë së Kosovës, përbërë nga disa ministra u është ndaluar të hyjnë në territorin e Republikës së Serbisë, për festimet e  28 Nëntorit; gjegjësisht në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.

Ende nuk është i qartë motivacioni i anulimit të lejes. Është krejtësisht e qartë që motivi i anulimit lidhet me palën pritëse, Republikën e Serbisë.

Duhet të nënvizojmë që anulimi i kësaj vizite, nuk i ndihmon relaksimit të marrëdhënieve mes popujve tanë dhe marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetëror, dhe se deri në normalizimin e tyre të plotë të tyre do të duhet ende kohë.

COMMENTS