Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si “narracion idiotesk” në rrjetet sociale lidhur me luf
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si “narracion idiotesk” në rrjetet sociale lidhur me luftën e Kosovës dhe rolin e UÇK-së.
Në një postim në Facebook, Rexhepi shprehet kritik ndaj, siç thotë ai, një “versioni të ri të historisë”, ku lufta e UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe policore jugosllave lihet në plan të dytë, ndërsa theksi vendoset te konfliktet dhe akuzat e brendshme.
“Kur sheh Facebook-un këto ditë, të krijohet një përshtypje vërtet interesante: UÇK-ja dhe drejtuesit e saj, sipas këtij ‘versioni të ri të historisë’, paskan bërë pothuajse gjithçka tjetër — vetëm luftën kundër forcave ushtarake e policore jugosllave jo”, shkruan Rexhepi.
Ai thotë se nuk mohon ekzistencën e gabimeve gjatë luftës, por kundërshton përdorimin e tyre, sipas tij, për të zbehur karakterin çlirimtar të luftës në Kosovë.
“Askush nuk po thotë se në luftë nuk ka pasur gabime. Por është tepër ‘komode’ që, sa herë flitet për historinë e luftës së Kosovës, të ndërtohet një narracion ku lufta çlirimtare zvogëlohet, ndërsa çdo konflikt i brendshëm zmadhohet”, thekson ai.
Rexhepi kritikon edhe mënyrën se si këto interpretime përhapen në rrjetet sociale, duke argumentuar se përsëritja e vazhdueshme e një narracioni nuk e shndërron atë automatikisht në histori.
“Historia nuk shkruhet nga përsëritja. As nga algoritmi. As nga statusi më i shpërndarë i ditës”, shprehet kryetari i Kuvendit të Bujanocit.
Në fund, Rexhepi ngre një pyetje retorike për ata që, sipas tij, e vendosin luftën çlirimtare në plan dytësor: “Nëse UÇK-ja nuk paska qenë e angazhuar kryesisht në luftën kundër forcave jugosllave, atëherë me kë po luftonte gjithë ajo Kosovë për vite të tëra?”
Ai përfundon se përballja me “të keqen e brendshme” është e nevojshme, por kjo, sipas tij, nuk duhet të përdoret si instrument për të zbehur një kauzë të tërë çlirimtare.

COMMENTS