Partia për Veprim Demokratik-PVD ka akuzuar kabinetin e kryetarit të komunës së Bujanocit për rol destruktiv në ruajtjen e stabilitetit politik.
Partia për Veprim Demokratik-PVD ka akuzuar kabinetin e kryetarit të komunës së Bujanocit për rol destruktiv në ruajtjen e stabilitetit politik.
Përmes një komunikate, PVD, poashtu ka hedhur akuza se partneri i koalicionit(PD) po i vardiset SNS-it duke mbajtur kontakte me qëllim që ta ketë gjithnjë afër vetes.
Ndaj këtyre akuzave, përmes një demanti, ka reaguar shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Sali Salihi.
Salihi ka thënë se e vërteta është se shumë projekte nga mandati i kalur kanë mbetur pa u realizuar, ndërsa PVD sa herë që ka probleme të brendshme luanë rolin e viktimës, duke shtuar se dikush nga vet ky subjekt ka dashur ta rrëzojë koalicionin aktual.
Në vazhdim ju sjellim komunikatën e PVD-së dhe demantin e shefit të kabinetit të kryetarit të komunës, Sali Salihi:
Sulmi ndaj partnerëve të koalicionit nuk i kontribuon funksionimit të koalicionit gjithë shqiptar, kabineti i kryetarit të komunës me rol destruktiv në ruajtjen e stabilitetit politik
Edhe pas 13 muajve qeverisje, kabineti i kryetarit të komunës së Bujanocit po vazhdon me sulmet e njëpasnjëshme ndaj partnerëve shqiptar të koalicionit.
Kësaj radhe, dy ditëve të fundit, Kabineti, përmes prononcimeve publike, hedh fajin mbi partnerët e koalicionit për shkak të numrit të vogël të përfshierjes së serbëve në programin e praktikës profesionale si edhe për “lënien pas dore” të projekteve në lagjet rome.
Në fakt, realizimi i programeve të vitit 2019 vjen si pasojë e dështimit të të gjitha prokurimeve të vitit 2021, fakt të cilin kabineti i kryetarit po mundohet ta fsheh.
Sa i përket listës së praktikantëve e cila, pavarësishtë se ishte dakorduar në tërësi me kryetarin e komunës dhe kabinetin e tij, me hedhjen e akuzave ndaj partnerëve të koalicionit, kabineti po mundohet t’i shmanget përgjegjësisë për veprimet e ndërmarra për të ruajtur raportet me SNS dhe t’i shmanget kritikave të funksionerëve shtetërorë serb.
Qasja e këtillë akuzuese ndaj partnerëve paraqet një vardisje ndaj SNS-it me të cilën po vazhdojnë kontaktet për riformulimin e koalicionit aktual në Bujanoc.
Pavarsisht deklarimeve tendencioze nga kabineti i kryetarit, provokimeve të ulta të partnerëve të koalicionit dhe tendencës për ta patur SNS-in afër vetes, PVD do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në funksionimin normal të koalicionit gjithë shqiptarë në Bujanoc si një produkt i Marrëveshjes së arritur në Tiranë.
Por kjo nuk do të thotë që PVD do të mbetet imune ndaj kritikave dhe shpifjeve që, herë pas here, po adresohen ndaj saj nga kreu i Komunës.
Për ne është e qartë se këto kritika vijnë edhe si pasojë e faktit të dështimeve të shumta që po ndodhin për t’i siguruar qytetarëve “ditë më të mira”.
Përveç që është koha të fillohet me realizimin e premtimeve ndaj qytetarëve është poashtu koha të realizohen edhe të gjitha obligimet nga Marrëveshja e Tiranës.
Ju jeni të lirë në vendimmarrje, por, sa i përket PVD-së, SNS-i nuk kalon.
Bujanoc, 6 gusht, 2021
Partia për Veprim Demokratik
Shërbimi për informim
Demant ndaj komunikatës së PVD-së të lëshuar sot më datë 06 gusht 2021
Në cilësinë e udhëheqësit të kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit, ndjej përgjegjësi morale që të demantoj komunikatën e PVD-së të lëshuar sot për gjoja rolin destruktiv të kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit në ruajtjen e stabilitetit politik.
Ju kujtoj, që raportet e kryetarit të komunës së Bujanocit me partnerët e vet në koalicion, në këtë rast mes zv.kryetarit të komunës dhe kryetarit të Kuvendit janë shumë të mira dhe stabile. Edhe atëherë kur PVD ka quajtur kreun e komunës ‘diktator’, e edhe sot kur portali të cilin e ka themeluar kryetari i PVD-së citon statuse të facebook-ut ku qeverisjen lokale e quan ‘regjim’, nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim, duke respektuar fjalën e lirë të portalit, të cilin themeluesi i saj e kontrollon për çdo pikë dhe presje.
E kuptojmë edhe faktin që për çdo problem që PVD ka brenda partisë së vet, mundohet të gjejë kundërshtar të jashtëm për ta mbajtur të bashkuar anëtarësinë e saj. E kuptojmë edhe atë, që sa herë që dikush dëshiron të mbulojë të metat e veta, e aktivizon kartën e viktimizimit. Dhe, në shumë raste ju ka funksionuar, ndoshta do t’ju funksionojë edhe tash.
Por, një gjë është e vërtetë. Shume punë nga mandati i kaluar janë lënë pa u realizuar, shumë të tjera janë bërë shkel e shko, dhe këtë gjë nuk mund ta fshehim. Për punët e parealizuara, keni marrë ‘shpërblimin’ më 21 qershor 2020. Për punët e bëra shkel e shko, sot ne po ballafaqohemi me revizionin shtetëror për të bëmat e juaja.
Në lidhje me programin e aftësimit profesional, nuk e di ku e keni parë apo lexuar se nga kabineti i kryetarit ja paska hedhur fajin partnerëve të koalicionit për numrin e vogël të përfshirjes së serbëve në këtë program. Nëse keni ndonjë dëshmi, ju lutem publikone.
Qeverisja lokale, e udhëhequr nga Nagip Arifi, nga dita e parë është duke punuar për ditë të mira për qytetarët tanë. Ata që i kanë humbur priviligjet, sigurisht që nuk do të pajtohen me këtë fakt, por kemi arritur pothuajse t’i shlyejmë të gjitha borxhet nga mandati i kaluar, kemi subvencionuar bujqit e vërtetë, e jo ata ‘militantët’ tuaj të sistemuar nëpër organe shtetërore, që nuk e dijnë ku i kanë arat. Kemi rritur shumën e investimit për një bujk, e nuk e kemi përdorur metodën ‘e stërpikjes’ me rastin e ndarjes së subvencioneve. Kjo qeverisje është e përkushtuar në cilësi, e jo në sasi.
Gjithashtu, të gjitha projektet e parapara me buxhetin e vitit 2021 do të përfundojnë me kohë. Rrini pa merak, se tani kryetar është Nagip Arifi,e jo ai ‘tjetri’ që orarin e punës e ka shfrytëzuar t’i kontrollojë shkrimet në facebook dhe pastaj përmes profileve të rrejshëm t’i linçojë kundërshtarët e vet. Ka ikur ajo kohë dhe nuk do kthehet kurrë më. Vonesat në realizimin e projekteve po ndodhin përshkak se gjithçka sot punohet sipas ligjeve dhe duke respektuar procedurat, e jo të stilit ‘a din ti me ndu kanalizim’.
Më habit fakti për ‘sulmet’ ndaj SNS, kur drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit, kuadër i SNS-it, me kërkesë të PVD-së punëson anëtarë të PVD-së, bile bile edhe nga rrethi i ngushtë i kryetarit të PVD-së. A mos po mendoni se njerëzit ju besojnë lojërave tuaja?!
Sa i përket Marrëveshjes së Tiranës, e kemi thënë dhe po e përsërisim: ajo do të respektohet në tërësi.
Por, pyetne veten, sa jeni të interesuar të respektohet kjo marrëveshje. Ju, më mirë se ne, e dini kush nga PVD ka dashur ta rrëzojë këtë pushtet.
Për Partinë Demokratike, çdo vendim do të sillet me marrëveshje të përbashkët. Pa një konsenzus të përbashkët, nuk do të kalojë as SNS-i, por as i preferuari i juaj SPS-i.
COMMENTS