HomeEditorial

Pse asnjë politikan shqiptar nga Lugina nuk përfundon në burg?

Nëse do t’i besonim realitetit që reflektojnë institucionet e drejtësisë, Presheva dhe Bujanoci do të duhej të ishin komunat më të pastra në Serbi

Arifi: Kjo është kundërmasë ndaj Serbisë
Pesë gola në rrjetën kundërshtare dhe lojë e dominuar në tërësi
Kamberi fajëson Beogradin për diskriminim ndaj shqiptarëve

Nëse do t’i besonim realitetit që reflektojnë institucionet e drejtësisë, Presheva dhe Bujanoci do të duhej të ishin komunat më të pastra në Serbi. Të paprekura nga korrupsioni. Të imunizuara nga keqpërdorimi i pushtetit. Një përjashtim i çuditshëm në një shtet ku korrupsioni është dukuri e përhapur.
Por askush serioz nuk e beson këtë narrativë.

Për gati tri dekada, Prokuroria dhe organet e ndjekjes penale kanë heshtur përballë dyshimeve ( me përjashtim të rasteve sa për sy e faqe) të vazhdueshme për korrupsion në komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës. Ndërkohë që në pothuajse çdo cep të Serbisë janë hapur hetime, janë ngritur aktakuza dhe janë dhënë dënime ndaj zyrtarëve lokalë, Presheva dhe Bujanoci kanë mbetur jashtë llupës së drejtësisë.

Pse?

A është e besueshme që pikërisht këtu të mos ketë pasur tenderë të dyshimtë, projekte të fryra, investime të paqarta dhe keqpërdorim të parasë publike? Apo kemi të bëjmë me një marrëveshje të heshtur, ku pushteti qendror sheh, por zgjedh të mos veprojë?

Heshtja institucionale nuk është pafajësi. Heshtja është mbrojtje. Dhe kjo mbrojtje nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por interesit politik të shtetit. Një politikan lokal që nuk hetohet nuk është domosdoshmërisht i pastër. Përkundrazi, ai është i varur. I mbajtur nën kontroll. I shantazhueshëm.

Këtu lind pyetja që rrallëherë shtrohet publikisht: a po i kursen shteti politikanët shqiptarë nga burgu për t’i mbajtur të bindur dhe të kontrollueshëm?

Në opinionin publik, prej vitesh flitet për prona të konsiderueshme, pasuri të akumuluara dhe investime që nuk përputhen me të ardhurat zyrtare të disa drejtuesve institucionalë. Flitet për prona në Luginë dhe veçanërisht në Kosovë. Flitet vazhdimisht, por askush nuk heton. Askush nuk pyet. Askush nuk jep përgjigje.

Sepse kur hetimi mungon, korrupsioni normalizohet. Kur mungon llogaridhënia, patriotizmi shndërrohet në maskë.

Ironia është e hidhur. Disa nga këta politikanë shfaqen çdo ditë si patriotë të mëdhenj, si viktima të shtetit, si mbrojtës të kauzës kombëtare. Ndërkohë, sipas bindjes së gjerë qytetare, e kanë “bishtin nën derë” dhe jetojnë të qetë pikërisht falë heshtjes së institucioneve.

A ishin vërtet kaq të ndershëm të gjithë drejtuesit shqiptarë të institucioneve për gati 30 vjet rresht? Apo “pafajësia” e tyre është ndërtuar mbi servilizëm politik, fiskultura publike dhe marrëveshje të padukshme me pushtetin?

Nëse në Preshevë dhe Bujanoc janë shpenzuar miliona euro për projekte dhe investime ndër vite, pyetja është e thjeshtë dhe e pashmangshme: si është e mundur që asnjë aferë të mos ketë përfunduar në hetim serioz?

Përgjigjja është po aq e thjeshtë sa edhe shqetësuese. Sepse shteti nuk kërkon drejtësi në Luginë, por stabilitet të kontrolluar. Sepse një politikan shqiptar i përfolur për korrupsion, por i paprekur nga drejtësia, është më i dobishëm sesa një politikan i pavarur dhe i përgjegjshëm.

Epilogu është i njohur dhe i dhimbshëm. Drejtësia selektive mbron elitat lokale, shkatërron besimin qytetar dhe e mban Luginën e Preshevës peng të pazareve politike. Dhe për aq kohë sa korrupsioni mbrohet nga heshtja, askush nuk mund të pretendojë pafajësi.

Sepse aty ku nuk ka hetim, nuk ka të vërtetë.
Aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka barazi.
Dhe aty ku korrupsioni tolerohet, e ardhmja mbetet e komprometuar.

COMMENTS