Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka vlerësuar se pavarësisht se korniza ligjore e Republikës së Serbisë parasheh garanci

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka vlerësuar se pavarësisht se korniza ligjore e Republikës së Serbisë parasheh garanci për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, zbatimi i tyre në praktikë mbetet seriozisht i kufizuar.
Sipas tij, kjo mospërputhje vërehet veçanërisht në fushat kyçe si arsimi, përdorimi zyrtar i gjuhës, punësimi dhe përfaqësimi institucional, ku dallimi ndërmjet dispozitave ligjore dhe realitetit praktik vazhdon të jetë i theksuar dhe shqetësues për komunitetin shqiptar.
Rexhepi ka theksuar se procesi i pasivizimit të adresave ka prodhuar pasoja të ndjeshme dhe të drejtpërdrejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke ndikuar në të drejta themelore qytetare, juridike dhe politike. Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se insistimi në minimizimin e këtij problemi nuk ndihmon në zgjidhje, por përkundrazi thellon mungesën e besimit ndaj institucioneve.
“Ky fenomen kërkon trajtim institucional serioz, transparencë të plotë dhe vendosje të mekanizmave korrigjues efektivë, në përputhje me standardet demokratike dhe parimet e sigurisë juridike, me qëllim adresimin e pasojave konkrete juridike, sociale dhe politike që kanë rezultuar”, ka theksuar Rexhepi.
Duke u ndalur te fusha e arsimit, ai ka pranuar se janë shënuar disa përparime, por ka nënvizuar se mbeten ende të pazgjidhura çështje të rëndësishme, si mungesa e teksteve shkollore adekuate, veçanërisht në arsimin e mesëm, njohja e diplomave të Kosovës dhe procesi i licencimit. Sipas tij, këto probleme vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe barazinë e procesit mësimor, si dhe në qarkullimin juridik.
Rexhepi ka vlerësuar se projektet infrastrukturore dhe arsimore janë të mirëpritura dhe përfaqësojnë hapa pozitivë, por ka shtuar se sfida kryesore mbetet arritja e barazisë reale, integrimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të përgjithshëm të pozitës së komunitetit shqiptar.
Në fund, ai ka theksuar se pranimi i hapur i sfidave ekzistuese dhe demonstrimi i qartë i vullnetit politik janë parakushte të domosdoshme për arritjen e zgjidhjeve konkrete, të qëndrueshme dhe të besueshme.
COMMENTS