Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas publikimit të rezultateve në sistemin elektronik JIS të Ministrisë së Informimit d

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas publikimit të rezultateve në sistemin elektronik JIS të Ministrisë së Informimit dhe Telekomunikacionit, që kanë të bëjnë me vlerësimin e projekteve për bashkëfinancim në fushën e informimit publik.
Në një deklaratë publike, Pajaziti shprehu befasi dhe shqetësim, duke theksuar se ky rezultat ka nxjerrë në pah një sërë problemesh të thella që prekin barazinë dhe funksionalitetin e mediave lokale.
“Komisioni vlerësues është formuar në mënyrë automatike nga sistemi JIS, pa asnjë mundësi ndikimi nga ana e komunës, dhe nuk ka marrë parasysh specifikat e realitetit tonë lokal dhe nevojat e ndryshme në fushën e informimit,” – ka deklaruar ai.
Sipas tij, përbërja e komisionit mbetet problematike, jo vetëm për mungesën e ekspertëve shqiptarë, por edhe për shkak të kritereve formale që përjashtojnë shumë profesionistë lokalë nga përfaqësimi në këtë proces.
Pajaziti vlerëson se ndryshimet ligjore të fundit, përkatësisht hyrja në fuqi e Ligjit të ri për informimin publik dhe Rregullores për bashkëfinancim, kanë eliminuar rolin e komunave në këtë procedurë, duke e kthyer të gjithë procesin në një sistem plotësisht të centralizuar dhe elektronik.
“Nga aplikimi deri te marrja e vendimit, gjithçka realizohet pa asnjë ndërhyrje nga pushteti lokal,” shtoi ai.
Në fund të deklaratës, kryetari i Komunës së Bujanocit paralajmëroi se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar një vendim të drejtë, proporcional dhe në përputhje me interesat e mediave lokale, duke theksuar rëndësinë e transparencës, përfshirjes dhe respektimit të realitetit lokal.
“Këto janë vlera që unë si kryetar do t’i mbroj gjithmonë në çdo proces që ndikon në informimin publik dhe zhvillimin demokratik të komunës sonë,” – përfundoi Pajaziti.
COMMENTS