Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, ka dorëzuar gjatë ditës së sotme një kërkesë zyrtare për anulimin e konkursit për ba

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, ka dorëzuar gjatë ditës së sotme një kërkesë zyrtare për anulimin e konkursit për bashkëfinancimin e projekteve mediatike për vitin 2025, të shpallur nga Komuna e Bujanocit.
Në arsyetimin e tij, Rexhepi thekson se “kjo kërkesë bazohet në shkeljen e dispozitave të nenit 21 dhe 25 të Ligjit për Këshillat Kombëtare”, meqë në këtë proces nuk është kërkuar mendimi i KKSH-së, “pavarësisht se projektet e propozuara për financim përfshijnë edhe prodhime në gjuhën shqipe.”
Ai shprehet i shqetësuar për mënyrën e ndarjes së fondeve, duke theksuar se “përmes propozimit të bërë nga komisioni vlerësues, është evidentuar mungesa e qasjes së barabartë ndaj mediave që informojnë në shqip.”
Sipas tij, “një pjesë e konsiderueshme e fondeve është propozuar të ndahet për media që nuk ushtrojnë veprimtari reale në territorin e Komunës së Bujanocit, përfshirë edhe media nga qyteti i Vranjës, ndërkohë që mediat lokale në gjuhën shqipe janë lënë anash.”
Kryetari i KKSH-së e konsideron këtë situatë si të papranueshme:
“Kjo është e papranueshme në një komunë me shumicë shqiptare (rikujtim: mbi 62% të banorëve të Bujanocit janë shqiptarë) dhe përbën një shkelje të parimeve të barazisë, përfaqësimit dhe të drejtës për informim në gjuhën amtare.”
Në fund të deklaratës, Rexhepi kërkon që të “vendoset një praktikë e rregullt konsultimi institucional, ku KKSH përfshihet në çdo proces që lidhet me fushat ku ka kompetenca ligjore.” Ai paralajmëron se “nëse kjo kërkesë dhe detyrimet ligjore nuk respektohen, KKSH do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e komunitetit shqiptar në Bujanoc.”
COMMENTS