HomeNë fokus

Pajaziti priti përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA-së në Beograd

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar sot një takim pune me znj. Erin Kotheimer, Këshilltare për Çështje Publike në Ambasa

Partia Demokratike shënon 10-të vjetorin e themelimit (foto&video)
Studentët milionerë
Shaip Kamberi kthehet në komunë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar sot një takim pune me znj. Erin Kotheimer, Këshilltare për Çështje Publike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.

Sipas njoftimit të kryetarit, takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit institucional dhe dialogut demokratik, me fokus në çështje me rëndësi të veçantë për Komunën e Bujanocit dhe pozitën e komunitetit shqiptar.

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua Planit 7-pikësh të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë, si kornizë institucionale për avancimin e të drejtave dhe integrimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. U diskutua niveli i zbatimit të këtij plani, sfidat që vazhdojnë të jenë të pranishme, si dhe nevoja për përkushtim më të madh institucional për realizimin e plotë të tij.

Në këtë kontekst, u trajtuan çështje konkrete si integrimi i shqiptarëve në institucionet publike, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë dhe mungesa e mundësive të qëndrueshme për të rinjtë, të cilat, sipas Pajazitit, mbeten pengesa serioze për zhvillimin dhe stabilitetin lokal.

Po ashtu, u diskutua rëndësia e programeve për të rinjtë, mbështetja për arsimin, punësimin dhe ndërmarrësinë, si dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kryetari Pajaziti theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për proceset demokratike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin institucional në rajon, duke shprehur gatishmërinë e Komunës së Bujanocit për të ndërtuar dhe thelluar partneritete konkrete me Ambasadën amerikane dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas tij, takime të tilla dëshmojnë rëndësinë e dialogut institucional dhe angazhimit ndërkombëtar për avancimin e proceseve demokratike dhe integruese në Komunën e Bujanocit dhe në Luginën e Preshevës.

COMMENTS