Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka pritur sot kryetarin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me bashkë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka pritur sot kryetarin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i KK Driton Rexhepi.
Sipas Pajazitit, takimi u zhvillua në një frymë vëllazërore, të hapur dhe konstruktive, ku u diskutua për një sërë temash me interes të përbashkët, me theks të veçantë në mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Bujanocit.
Fokus i veçantë i bisedës ishte roli që Prishtina mund të ketë në mbështetjen e zhvillimit të Bujanocit, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë zhvillimor. Në këtë kuadër, u diskutua për ndihmën e mundshme të Prishtinës në realizimin e projekteve inovative, përkrahjen e iniciativave për të rinjtë, zhvillimin e kulturës dhe sportit, si dhe shkëmbimin e përvojave profesionale dhe kadrovike.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është zotuar se Komuna e Prishtinës do të jetë një partnere e fuqishme e Komunës së Bujanocit, duke ofruar mbështetje konkrete përmes ekspertizës profesionale, trajnimeve, projekteve të përbashkëta, si dhe përkrahjes financiare, aty ku ekzistojnë mundësitë ligjore dhe institucionale.
Sipas Pajazitit, ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi të reja për rininë e Bujanocit, të nxisë kreativitetin dhe inovacionin, të forcojë jetën kulturore dhe sportive, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
Përveç takimit zyrtar, Rama ishte edhe mysafir në finalen e turneut BU CUP 2025, një ngjarje sportive që simbolizon bashkimin përmes sportit, veçanërisht duke pasur parasysh se në të dyja ekipet finaliste marrin pjesë futbollistë nga kryeqyteti.
Vizita e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkomunal dhe realizimit të projekteve konkrete në interes të qytetarëve të Bujanocit.

COMMENTS