Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se është zhvilluar seanca e radhës e Shtabit për S

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se është zhvilluar seanca e radhës e Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme, me fokus të veçantë në përgatitjet për temperaturat e larta që pritet të godasin rajonin në ditët në vijim.
“Vura në dukje rëndësinë e masave preventive dhe theksova nevojën që të gjitha shërbimet komunale dhe institucionet përgjegjëse të jenë në gatishmëri të plotë, në mënyrë që të reagojmë me kohë dhe me efikasitet në çdo situatë të mundshme,” ka theksuar Pajaziti.
Ai ka njoftuar gjithashtu se situata e furnizimit me ujë do të përmirësohet ndjeshëm. “Që nga sonte, dy puse të reja do të vihen në funksion dhe kjo do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e furnizimit me ujë në ditët në vazhdim,” ka shkruar ai.
Lidhur me menaxhimin e mbeturinave dhe rreziqet e zjarreve, Pajaziti ka bërë të ditur se shumë shpejt deponia komunale do të jetë plotësisht funksionale. “Jemi në fazën përfundimtare të pranimit teknik të kyçjes së ujit dhe rrymës. Në rast të ndonjë djegie të mundshme, do të kemi kapacitetet për të ndërhyrë me shpejtësi,” ka sqaruar kryetari, duke shtuar se në këtë zonë do të vendosen edhe kamera sigurie për monitorim të vazhdueshëm.
Kryetari i Komunës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. “Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në pyje, fusha dhe hapësira të hapura, pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve në mënyrë të pakontrolluar,” apeloi Pajaziti.
Në fund, ai ka theksuar se vetëm me bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët mund të kalohen me sukses sfidat që sjell kjo periudhë me temperatura ekstreme.

COMMENTS