Pjesëtarët e Policisë së Komunikacionit në territorin e Komunës së Bujanocit kanë shqiptuar gjithsej 352 gjoba për kundërvajtje për shkak të parki

Pjesëtarët e Policisë së Komunikacionit në territorin e Komunës së Bujanocit kanë shqiptuar gjithsej 352 gjoba për kundërvajtje për shkak të parkimit të paligjshëm në rrugë dhe hapësira publike gjatë një periudhe njëmujore.
Të dhënat, të cilat FOLonline i ka siguruar në bazë të kërkesës për qasje në informata me rëndësi publike drejtuar Drejtorisë së Policisë, i referohen periudhës 19 qershor – 19 korrik 2026.
Kujtojmë se në fillim të kësaj vere, Policia e Komunikacionit, në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal të Komunës së Bujanocit, ndërmori një aksion për lirimin e rrugëve dhe hapësirave publike nga automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme.
Kur bëhet fjalë për gjobat e shqiptuara nga policia, procedura zhvillohet në disa hapa. Fillimisht, zyrtarët policorë fotografojnë automjetin e parkuar në kundërshtim me rregullat. Pas përpunimit të lëndës, pronarit të automjetit i dërgohet njoftimi përmes portalit eUprava ose në adresën e vendbanimit. Pronari ka të drejtë të deklarohet nëse ai ka qenë drejtuesi i automjetit ose nëse automjeti ka qenë në përdorim nga një person tjetër.
Nëse nuk paraqitet ankesë dhe gjoba paguhet brenda afatit prej tetë ditësh, shuma e saj është 2.500 dinarë. Në të kundërtën, gjoba arrin në 5.000 dinarë, së cilës i shtohen edhe shpenzimet e procedurës.
Sipas informacioneve që posedon FOLonline, për përpunimin e një lënde të tillë policisë i nevojiten mesatarisht rreth 20 minuta, për shkak të procedurave administrative dhe dokumentacionit që duhet përgatitur.
Nga ana tjetër, parkimi i paligjshëm i konstatuar nga Inspektorati Komunal dënohet me 10.000 dinarë, ndërsa nëse gjoba paguhet brenda tetë ditësh, ajo përgjysmohet në 5.000 dinarë.
Zbatimi i këtij aksioni ka sjellë një përmirësim të dukshëm të qarkullimit, veçanërisht në rrugët kryesore të Bujanocit. Edhe pse ende ka raste të parkimit të parregullt, qytetarët po respektojnë gjithnjë e më shumë rregullat e komunikacionit, duke kontribuar në lëvizje më të sigurt dhe më të lirë për automjetet dhe këmbësorët.
Mbetet të shihet nëse kontrollet e shtuara dhe ndëshkimet do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me synimin për të parandaluar parkimin e paligjshëm dhe për të ruajtur rendin në hapësirat publike.
COMMENTS