HomeNë fokus

Në 62 vjetorin e lindjes së Jonuz Musliut, djali i tij Shqiprimi me një postim prekës

Zv/kryetari i komunës së Bujanocit dhe lideri i LPD-së, Shqiprim Musliu, i’a ka dedikuar të atit të tij të ndjerë, Jonuz Musliut, një postim prekë

Konsultime në Preshevë në prag të takimit me Vuçiqin
ISHTE KOHA KUR PRESHEVA LULËZONTE…
Fejtoni: Një tregim serbo-shqiptar: Destabilizimi zhvendoset në jug të Serbisë (pjesa 10)

Zv/kryetari i komunës së Bujanocit dhe lideri i LPD-së, Shqiprim Musliu, i’a ka dedikuar të atit të tij të ndjerë, Jonuz Musliut, një postim prekës në 62 vjetorin e lindjes së tij.

Përmes këtij postimi, Shqiprim Musliu, ka paraqitur pothuaj se tërë biografinë e babit të tij duke e ndërlidhur me periudha të ndryshme të historisë.

Postimi i plotë i tij:

Janari, muaji i lindjes tënde. 05 Janar 1959

Ardhja jote dhe jeta jote nuk e frymëzoi vetëm familjen tonë, por vepra jote i dha frymëzim mbarë kombit shqiptar. Sepse që në vegjëli, ti e fillove shembullin më të mirë.

Emrin tënd, Jonuz, e trashëgove nga gjyshi yt, që në vitet e dyzeta të shekullit të kaluar e sakrifikoi jetën e tij për të drejtat tona e për lirinë tonë.

Ai u pushkatua nga ata që na donin të robëruar dhe babai yt e gjyshi im Tefiku, që u rrit si jetim, të edukoi e të dha emrin e tij, për të ta kujtuar gjithmonë se jeta dhe liria kërkojnë sakrificë.

E ti këtë sakrificë e përjetove në shpirtin tënd të bardhë. Si i ri që ishe, fillove të japësh modelin tënd të sakrificës për liri. Me edukimin dhe shkollimin tënd, ti bashkë me bashkëveprimtarët e tu, arrite të organizoheshit atëherë kur të gjitha rrugët për shqiptarët po bllokoheshin. Sepse robërinë të cilën na dëshironin të tjerët, ju filluat ta çrrënjosëshit me Lëvizjen Popullore, duke organizuar aktivitete ilegale të sistemit të atëhershëm, për të fituar të vetmën rrugë, Lirinë.

Ti edhe kohën më të mirë të jetës, e sakrifikove për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Sepse pak kohë pasi u martove, kur e krijove familjen tënde e kur e kishe jetën përpara, ishte burgu ai që ta rrëmbeu pjesën më të mirë të rinisë. Por t`i nuk shkove në burg pse bëre padrejtësi, por sepse kërkove lirinë.

Edhe pas burgut, ti e sakrifikove familjen tënde, dhe e vazhdove rrugëtimin tënd të nisur që në vegjëli.

Me bashkëveprimtarët e tu filluat të organizonit celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse dita ditës e shihnit se e vetmja rrugë për lirinë e shqiptarëve ishte organizimi në formë ushtarake për t`iu kundërvy atyre të cilët donin të na robëronin.

Vitet e `90-ta, përkundër që ishin ditët më të vështira të jetës tënde, me bindje e them se ishin edhe ditët më të mira të jetës tënde. Ti me bashkëveprimtarët tuaj, ishit ata që e ngritët çështjen kombëtare dhe lirinë e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Atëherë kur zullumin ndër dekada që e kishin nisur serbët, ju bashkë me aleatët tanë ndërkombëtarë arritët ta çrrënjosëshit nga faqja e dheut. Vitet `99 e 2000 janë vitet që t`i i ndjeje shpirtërisht. Sepse e kishit arritur një qëllim. E ai ishte çlirimi i Kosovës.

Por ti nuk u ndale. Sepse lirinë që e doje, ende se kishe fituar. Kosova Lindore, atdheu yt e i bashkëkombasve tuaj, ishin ende të privuar nga liria.

Dhe pikërisht Janari ishte fillimi i një beteje të re. Beteja e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Këto toka arbërore ishin të robëruar nga liria, por vendosmëria jote për ta vazhduar rrugën e lirisë ishte e pazëvendësueshme. E bashkë me ushtarakët e UÇPMB-së për gati dy vite iu kundërvytë një ushtrie të tërë shtetërore deri sa arritët për të fituar një copë lirie, atë të Marrëveshjes së Konçulit. Për gati dy vite ti udhëhoqe politikisht këtë ushtri çlirimtare duke organizuar e promovuar me kombëtar e ndërkombëtar, qëllimin më madhor që e doje për vetën, familjen e mbarë kombin shqiptar, lirinë. Por edhe pas marrëveshjes së 2001-shit, ti e vërejte në kohë se ajo çka synonym si komb, nuk ishte duke shkuar në drejtimin e duhur. Dhe fillove të organizohesh edhe politikisht për të kërkuar të drejtat tona elementare në forma demokratike duke formuar Lëvizjen e Progresit Demokratik. Ti bashkë me djemt më të mirë e më të ndershëm të këtij vendi, u organizuat për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve nga pushka me laps, me dije e me guxim. Formove një lëvizje që nën hije kishte një rrugëtim të gjatë e me sakrificë, por që qëllimin kryesor e kishte lirinë. Prandaj edhe i përballove të gjitha. Të sulmuan nga të gjitha anët, por ti qëllimin e kishe të madh, dhe nuk të hutonin me gjërat e vogla.

Ti i dha këtij vendi më të mirën tënde, dhe ne të gjithë jemi krenar për veprimtarinë tënde. Këtë e dëshmoi koha, e dëshmoi vepra, e dëshmoi edhe vet largimi yt nga kjo botë.

Edhe pse la shumë punë pa mbaru, e shumë qëllime pa i arritë, por një gjë dua të ta them, ikja jote në janarin e ftohtë, i ka ngrohë shumë zemra të rinisë. Sepse e dha shembullin ideal se si duhet atdheu dhe si kultivohet atdhedashuria.

Edhe pse neve na la në gjysmë të rrugës, ne u organizuam e do të organizohemi sa të jetë jeta, sepse ashtu siç na la amanet se e vetmja rrugë e nderit, është rruga e qëndresës dhe organizimit, ashtu edhe do të jemi, të qëndrueshëm e të organizuar.
J

am krenar që kisha një baba si ti, një udhëheqës si ti, një patriot si ti. Dhe me krenari po të them se deri në frymën e fundit të jetës sime, bashkë me shokët e tu do ta vazhdojmë rrugëtimin tënd.
Sepse ti erdhe dhe ike në janar, por për ne Janari gjithmonë ka me qenë motivi ynë, sepse është muaji që na dhuron frymëzim.

I përjetshëm do të jetë kujtimi për ty, e vepra jote qoftë e lavdëruar në përjetësi.

Biri yt, Shqiprimi.

COMMENTS