(foto ilustrim) Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë apel qytetarëve që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos përdorin petarda dhe mjete të t

(foto ilustrim)
Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë apel qytetarëve që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos përdorin petarda dhe mjete të tjera piroteknike gjatë festave.
MPB njofton se në periudhën nga 25 dhjetor 2024 deri më 13 janar 2025, për shkak të përdorimit të petardave janë lënduar 35 persona, prej të cilëve 15 kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa 26 nga të lënduarit kanë qenë fëmijë.
Gjatë tre viteve të fundit, gjithsej janë regjistruar 108 persona të lënduar nga petardat, nga të cilët më shumë se gjysma janë fëmijë. Lëndimet përfshijnë djegie, humbje të shikimit dhe pasoja të tjera të përhershme, theksohet në njoftimin e MPB-së në Facebook.
Theksohet se piroteknika nuk është lodër dhe se shitja e mjeteve piroteknike personave nën 18 vjeç është e ndaluar me ligj, ndërsa për shkeljen e kësaj ndalese parashikohen gjoba nga 50.000 deri në 100.000 dinarë.
Nga MPB-ja theksojnë gjithashtu se përdorimi i petardave shkakton frikë dhe stres te fëmijët e vegjël, personat e ndjeshëm dhe kafshët shtëpiake.
“Ji i përgjegjshëm, festo pa petarda, ruaj jetët, respekto qetësinë, mos hidh petarda”, thuhet në apelin e MPB-së.
COMMENTS