Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të degës së PVD-së në Bujanoc, të mbajtur me 30 janar 2026, në të cilën u shqyrtua situata e përgjithshme në kët

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të degës së PVD-së në Bujanoc, të mbajtur me 30 janar 2026, në të cilën u shqyrtua situata e përgjithshme në këtë komunë, Kuvendi i Degës së Partisë për Veprim Demokratik mirëpret miratimin e Ligjit HR 6411 nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e vlerësuar këtë zhvillim si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ky ligj përfaqëson një avancim të madh, duke zhvendosur çështjen nga niveli deklarativ në kornizë ligjore dhe duke e bërë diskriminimin temë të monitorueshme institucionalisht. Ai gjithashtu e nxjerr Serbinë nga komoditeti i mohimit pa kosto.
Në këtë kontekst, reagimet e institucioneve shtetërore të Serbisë janë të pritshme dhe pasqyrojnë qëndrimin e njohur publikisht, i cili vazhdon të mohojë ekzistencën e diskriminimit strukturor dhe të pabarazisë institucionale në këtë rajon. Për PVD-në është e kuptueshme se në shtetet me prirje autokratike, relativizimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut shpesh realizohet përmes aktorëve jo-institucionalë, pa kredibilitet politik e zgjedhor, politikisht të paraqitur si “zëra të pavarur”.
Ky mekanizëm synon të krijojë përshtypjen se problemi është i brendshëm dhe jo rezultat i politikave shtetërore. PVD e ka të qartë se sulmet e orientuara ndaj saj dhe jo ndaj politikave shtetërore të Serbisë kanë për qëllim shmangien e adresimit të diskriminimit institucional dhe relativizimin e përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e çështjes.
Megjithatë, faktet e dokumentuara nga raporte ndërkombëtare dhe OJQ-të vendore, si dhe përvoja e përditshme e qytetarëve, dëshmojnë për nevojën e adresimit serioz të këtyre çështjeve. Siç vërehet gjithmonë- Serbia reagon sepse çështja është ngritur atje ku duhet. Zhurma është shenjë se puna po jep efekt.
PVD duhet të mbetet e përkushtuar që, përtej polemikave dhe zhurmës publike, të punojë me argumente, fakte dhe partnerë ndërkombëtarë për avancimin e të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Çështja e diskriminimit nuk është çështje partie, por një realitet që kërkon zgjidhje serioze dhe të qëndrueshme. Prandaj, PVD, ashtu siç ka bashkëpunuar me kryetarët e partive tjera në çështjen e lobimit, duhet të vazhdojë në mënyrë konsistente të punojë në atë drejtim edhe në të ardhmen.
Për Serbinë, PVD-ja është bërë problem politik dhe jo thjesht parti lokale. Sulmet ndaj saj synojnë të diskreditojnë kanalin që e çon çështjen jashtë vendit dhe të krijojnë përshtypjen se “shqiptarët s’janë të unifikuar as vetë”. Këto tendenca synojnë që debati të largohet nga ndërkombëtarizimi i çështjes dhe detyrimet shtetërore, duke u reduktuar në polemika të brendshme.
Në rrethana të këtilla PVD-së i mbetet të jetë e vendosur të vazhdojë veprimet e saj me përgjegjësi institucionale, duke u fokusuar në kauzën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në ruajtjen e besueshmërisë ndërkombëtare.
Bujanoc, 31 janar, 2026
Partia për Veprim Demokratik
Dega në Bujanoc
__________________________
Shërbimi për informim
COMMENTS