Deputetët e Kuvendit të Serbisë kanë miratuar Ligjin për kushte të veçanta për evidentimin dhe regjistrimin e të drejtës mbi pasuritë e paluajtshm

Deputetët e Kuvendit të Serbisë kanë miratuar Ligjin për kushte të veçanta për evidentimin dhe regjistrimin e të drejtës mbi pasuritë e paluajtshme, i cili do t’u mundësojë shumicës së pronarëve të ndërtimeve pa leje të legalizojnë pronën e tyre dhe të fitojnë siguri juridike, sipas parimit “svoj na svome” – “në pronën tënde”.
Sipas këtij ligji, pagesa për legalizim do të jetë nga 100 deri në 1.000 euro, varësisht nga madhësia dhe kategoria e objektit. Për ligjin votuan 139 deputetë, dy nuk morën pjesë në votim, ndërsa tre abstenuan.
Ky ligj synon të vërë një pikë përfundimtare ndaj ndërtimit pa leje në Serbi dhe t’u mundësojë qytetarëve të regjistrohen si pronarë të ligjshëm të banesave dhe objekteve ku jetojnë ose punojnë.
Një organ i vetëm do të vendosë
Për zbatimin e ligjit do të kujdeset Agjencia për planifikim hapësinor dhe urbanizëm, e cila do të jetë institucioni përgjegjës për mbledhjen e të gjitha të dhënave dhe marrjen e vendimeve.
Regjistrimi do të bëhet vetëm për pronësinë, ndërsa aspektet urbanistike do të trajtohen veçmas.
Aplikimi vetëm në mënyrë elektronike
Të gjitha aplikimet për legalizim do të dorëzohen dhe do të ndiqen vetëm përmes platformës online, me mbështetjen e komunave dhe pushtetit lokal.
Agjencia do t’i sigurojë dokumentet e nevojshme përmes sistemeve publike, pa pasur nevojë që qytetarët të dorëzojnë letra fizikisht.
Çfarë duhet bashkangjitur me aplikimin?
- Numri personal i aplikuesit (JMBG)
- Numri i parcelës kadastrale ose adresa
- Të dhënat për objektin:
- ID ose shënimi në hartë
- Lloji i objektit, sipërfaqja, numri i kateve
- Pjesët e veçanta (nëse ka)
- Fotografitë e objektit
Nëse objekti nuk është evidentuar më parë, kërkohen edhe: skica gjeodezike, kontratë blerjeje, akt trashëgimie apo dokument tjetër përkatës.
Si bëhet regjistrimi i pronës?
Procedura do të zhvillohet përmes platformës digjitale të Agjencisë, në bashkëpunim me Zyrën Republikane të Gjeodezisë (RGZ).
Procesi përfshin disa faza:
- Komunat duhet të fusin planet zonale brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
- Agjencia verifikon të dhënat brenda 15 ditëve.
- Qytetarët kanë afat 60 ditë për të dorëzuar aplikimet për çdo pasuri veçmas.
- Pas përpunimit, Agjencia merr vendimin dhe e dërgon automatikisht në RGZ për regjistrim prioritar.
Në rast vendimi pozitiv, pronari merr certifikatën e pronësisë, e cila regjistrohet pa pagesë taksash apo tarifash.
Në rast vendimi negativ, aplikuesi dhe inspektori ndërtimor njoftohen menjëherë me email.
Rastet e veçanta
- Objektet e ndërtuara në tokë private të huaj, pa marrëveshje me pronarin, kërkojnë rregullim të raporteve pronësore.
- Ndërtesat në zona të destinuara për përdorim publik ose në zona të mbrojtura do të hiqen ose do të kalojnë në pronësi të shtetit.
- Objektet e përkohshme, si kontejnerë apo shtëpi mobile, do të evidentohen, por pa të drejtë regjistrimi pronësor.
Sa kushton regjistrimi i pronësisë?
- Nëse investitori është i njohur, ai paguan tarifën për legalizim dhe bën aplikimin në emër të ndërtesës.
- Nëse investitori nuk është i disponueshëm, çdo banor ose person i interesuar mund të paraqesë aplikimin. Në këtë rast, pronari i banesës paguan vetëm një tarifë fikse prej 100 deri në 1.000 euro.
Shembuj të tarifave:
- Qytetet e mëdha (si Beogradi): 100–1.000 €
- Qytetet me 50.000–100.000 banorë: 100–300 €
- Qytetet e vogla: 100 €
Për objekte ekonomike, magazina apo ndihmëse mbi 500 m², tarifa është 10 €/m².
Nga pagesa përjashtohen:
- Përfituesit e ndihmës sociale
- Personat me aftësi të kufizuara
- Veteranët e luftës
- Prindërit e vetëm
- Familjet me tre ose më shumë fëmijë
Kur hyn në fuqi ligji?
Në momentin e publikimit të udhëzuesit, ligji ende nuk kishte hyrë në fuqi dhe platforma digjitale nuk ishte aktive. Qytetarët do të informohen me kohë për çdo ndryshim përmes qendrës së kontaktit, broshurave dhe komunave lokale.
Për informacione zyrtare dhe udhëzime, është hapur faqja svojnasvome.gov.rs.
COMMENTS