Reisu-l-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi ka bërë thirrje për unitet dhe bashkërendim institucional në organizimin e Haxhit për myslimanët e Serbisë, pas

Reisu-l-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi ka bërë thirrje për unitet dhe bashkërendim institucional në organizimin e Haxhit për myslimanët e Serbisë, pas takimeve dhe konsultimeve të zhvilluara me autoritetet përkatëse në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Ai ka bërë të ditur se për shtetasit me nënshtetësi të Republikës së Serbisë janë ndarë vetëm 200 vende për kryerjen e Haxhit, numër shumë më i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme, kur kuota ka qenë mbi 700.
“Mbetet detyrë e jona që të angazhohemi për ta rikthyer këtë të drejtë të fituar,” ka theksuar Saqipi, duke shtuar se autoritetet saudite kanë kërkuar që Haxhi të mos organizohet në mënyrë të ndarë, por përmes një institucioni të bashkërenduar zyrtar.
Sipas tij, ka ardhur koha që haxhilerët e Luginës së Preshevës të udhëtojnë së bashku, përmes Bashkësisë Islame zyrtare, e cila ka për detyrë organizimin dhe kujdesin e plotë gjatë gjithë procesit.
“Gabimet e së kaluarës nuk guxojnë të përsëriten. Haxhi është udhëtim i shenjtë dhe shpirtëror, për të cilin qytetarët përgatiten me sakrifica të mëdha dhe dashuri për Zotin,” ka shtuar ai.
Në fund, Saqipi ka bërë thirrje që në Serbi të gjendet një rrugë e përbashkët dhe e pranueshme për të gjithë, në mënyrë që asnjë besimtar të mos pengohet në kryerjen e këtij obligimi të shenjtë.
“Në Haxh nuk shkohet me zemra të kalbura apo të forta nga shantazhi e mashtrimi, por me zemër të pastër, me sinqeritet dhe me dashuri për Zotin dhe për njerëzit,” ka përfunduar Reisu-l-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi.
COMMENTS