Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka marrë pjesë në Konferencën e Ambasadorëve Diplo 2025 me temën “Shqipëria 2030: Në Evrop

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka marrë pjesë në Konferencën e Ambasadorëve Diplo 2025 me temën “Shqipëria 2030: Në Evropë të ndërlidhur me botën”, të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kamberi falënderoi Qeverinë e Shqipërisë, ministrin Igli Hasani dhe Ambasadën e Shqipërisë në Beograd për hapësirën që i japin çështjes së Luginës së Preshevës në tryeza ndërkombëtare. Ai përshëndeti përparimet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht ngriti shqetësimin për përkeqësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë si pasojë e stagnimit të Serbisë në procesin e saj eurointegrues.
“Shqiptarët ndajnë histori, gjuhë, traditë dhe kulturë të përbashkët, por mbi të gjitha aspiratën për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të zhvilluar si pjesë integrale e Bashkimit Evropian. Ky identitet i përbashkët është forcë bashkëpunimi dhe stabiliteti për të gjithë Ballkanin”, theksoi ai.
Kamberi foli edhe për sfidat konkrete me të cilat përballen shqiptarët e Luginës: pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e decentralizimit dhe stagnimin ekonomik që po çojnë drejt shpopullimit të rajonit. Ai vuri në pah edhe politikën e standardeve të dyfishta të Serbisë, e cila, sipas tij, për serbët në rajon kërkon të drejta që nuk i garanton për pakicat në vendin e saj.
Deputeti kërkoi një angazhim më të madh diplomatik dhe koordinim më të fuqishëm mes Shqipërisë dhe Kosovës për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginë. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë që Shqipëria, në mënyrë më intensive, ta trajtojë këtë çështje në Këshillin e Evropës dhe OSBE.
Një tjetër pikë e rëndësishme që ai theksoi ishte zbatimi i vendimit për krijimin e Fondit të përbashkët investiv për Luginën nga dy qeveritë shqiptare.
“Për shqiptarët, ndryshe nga të tjerët, e ardhmja evropiane mbetet qëllimi i përbashkët – pa alternativë tjetër”, përfundoi Kamberi.

COMMENTS