HomePolitikë

Kamberi me fjalim në New York, në eventin e Albanian-American Civic League

Deputeti Shaip Kamberi, shoqëruar nga Ragmi Mustafi dhe Ragmi Mustafa, ka marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Albanian-American Civic Lea

Gjithçka gati për hapjen e Samitit të IV të Diasporës në Tiranë, prezencë edhe nga Lugina
Ramadani takon kryeparlamentarin Konjufca
Asfaltohet edhe një rrugë në Bujanoc

Deputeti Shaip Kamberi, shoqëruar nga Ragmi Mustafi dhe Ragmi Mustafa, ka marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Albanian-American Civic League në New York, ku kanë qenë të pranishëm personalitete të njohura të politikës amerikane dhe të komunitetit shqiptar në SHBA.

Në mesin e të ftuarve kanë qenë Senatori Cory Booker, ish-kongresmeni Joe DioGuardi me bashkëshorten Shirley Cloyes DioGuardi, kandidati për Kongresin amerikan Diamant Hysenaj, si dhe përfaqësues të njohur të diasporës shqiptare si Faton Bislimi, Agim Alickaj, Behlul Gashi e të tjerë.

Në këtë event, Kamberi është drejtuar me një fjalim para audiencës, ku ka folur për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, diskriminimin institucional, standardet e dyfishta të Beogradit dhe rëndësinë e rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të paqes dhe demokracisë në Ballkan.

Ky ishte fjalimi i plotë i Shaip Kamberit në New York:

I dashur Congressmen DioGuardi
E dashura Sherlly,
Fort i respektuar Senator Booker,
Të nderuar anëtarë të Bordit Të Albanian-American Civil League

të nderuar miq të pranishëm,

është kënaqësi dhe nder të jem sot me ju për të ndarë disa shqetësime dhe shpresa që lidhen me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe me zhvillimet e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës prej dekadash përballen me diskriminim sistematik politik, ekonomik e institucional. Në vend që të trajtohemi si qytetarë të barabartë, për ne vazhdojnë të mungojnë të drejtat themelore në arsim, përdorim të gjuhës, përfaqësim në institucione dhe zhvillim ekonomik.

Serbia, e cila paraqitet si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në praktikë e trajton minoritetin shqiptar me standarde të tjera nga ato që kërkon për pakicën serbe në Kosovë. Ajo mohon krimet e luftës dhe glorifikon kriminelët e dënuar në Hagë. Një qasje e këtillë mohuese jo vetëm që është pengesë e pajtimit mes popujve në Ballkan, por ajo përfaqëson një kundërshtim të vlerave të demokracisë liberale dhe mban gjallë arsyen hegjemoniste serbe.

Ky është thelbi i një politike të standardeve të dyfishta: Beogradi kërkon autonomi politike, garanci kushtetuese e mbrojtje ndërkombëtare për serbët në Kosovë por nuk pranon as të diskutojë për të drejtat elementare të shqiptarëve brenda kufijve të vet.

Kjo qasje jo vetëm që dëmton parimin e barazisë, por ushqen tensione dhe mosbesim ndërmjet komuniteteve.

Më shqetësuese është se kjo politikë është pjesë e një vizioni më të gjerë që quhet “Bota serbe”, një projekt që synon të riprodhojë ndikimin politik e kombëtar të Serbisë mbi popullsitë serbe jashtë kufijve të saj. Ky projekt, që ka ngjashmëri të rrezikshme me idetë e “botës ruse”, përbën kërcënim real për stabilitetin rajonal.

Pikërisht për këtë, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet thelbësor. Pa angazhimin e qartë dhe të balancuar amerikan, rajoni mund të rrëshqasë në sfera të ndikimit që nuk ndajnë vlerat demokratike perëndimore.

Prandaj ne kërkojmë që SHBA të përdorë zërin dhe ndikimin e saj për të nxitur Serbinë të respektojë të drejtat e pakicave jo vetëm në fjalë, por në praktikë, dhe që zgjidhja e çështjeve të hapura në Ballkan të bazohet në parimin e reciprocitetit, të drejtës dhe të barazisë.

Zëri juaj, senator Booker, dhe përkrahja e miqve të SHBA-së për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Luginë të Preshevës do të ishte një sinjal i fuqishëm se demokracia dhe drejtësia nuk kanë kufij.

Faleminderit.

COMMENTS