HomePolitikë

Kamberi : “A është fyerja dhe urrejtja ndaj shqiptarëve parakusht për punësim në institucionet shtetërore?”

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të tij në parlament ka ngritur shqetësimin për, siç tha ai, gjuhën fyese dhe

Këshilli Komunal, takimi i parë
Shpijunllëku në veprim: Kujt po i pengojnë lodrat në parkun e fëmijëve në Tërnoc?
Shkolla e Mesme „ Sezai Surroi „ me njoftim të rëndësishëm për nxënësit

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të tij në parlament ka ngritur shqetësimin për, siç tha ai, gjuhën fyese dhe antishqiptare të dëgjuar gjatë vizitës së fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bujanoc dhe Preshevë.

Kamberi e adresoi drejtpërdrejt pyetjen te presidenti Vuçiq, duke kërkuar të dijë nëse është e pranueshme që një qytetar i cili publikisht shpreh urrejtje dhe përçmim ndaj shqiptarëve të shpërblehet me premtim për punësim në BIA, jashtë procedurave të rregullta.

A është ky mesazhi se gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi shpërblehet me privilegje dhe punësim në institucionet e sigurisë?”, pyeti Kamberi.

Ai iu referua edhe deklaratave të dëgjuara gjatë tubimeve në Llopardincë dhe Strezoc, ku, sipas tij, u përdorën shprehje fyese ndaj shqiptarëve, ndërsa kritikoi presidentin Vuçiq për mosreagim ndaj tyre.

“Pse, në vend që ta dënonit dhe ta ndalonit gjuhën raciste dhe antishqiptare në tubimet ku merrni pjesë, ju lejoni që mesazhe të tilla të thuhen publikisht në praninë tuaj?”, tha Kamberi.

Deputeti kritikoi gjithashtu qasjen e institucioneve ndaj investimeve dhe arsimit në Luginën e Preshevës. Ai tha se nuk mjaftojnë premtimet për fabrika dhe vende pune, por kërkohet trajtim i barabartë i shqiptarëve dhe serbëve.

Kamberi përmendi edhe premtimin për ndërtimin e një shkolle për nxënësit serbë, duke theksuar se ndërkohë janë shpërfillur, sipas tij, kërkesat e Komunës së Preshevës për ndërtimin ose renovimin e dy shkollave në gjuhën shqipe. Ai rikujtoi edhe premtimin për renovimin e shkollës në Lluçan të Bujanocit.

Në fjalimin e tij, Kamberi tha se gjuha e urrejtjes mund të dëmtojë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve edhe pas largimit të politikanëve nga zona.

Ata 1.600 serbë që jetojnë në Preshevë duhet të jetojnë edhe nesër dhe të përballen me shqiptarët”, tha ai, duke ngritur pyetjen se si do të bashkëjetojnë komunitetet pas deklaratave publike nxitëse.

Në fund, Kamberi iu referua edhe Kushtetutës së Serbisë, duke përmendur nenet 14, 21, 76, 77, 79 dhe 81, të cilat lidhen me mbrojtjen e pakicave kombëtare, ndalimin e diskriminimit, barazinë në pjesëmarrjen në çështjet publike dhe zhvillimin e frymës së tolerancës.

Fjalimin e tij ai e përmbylli me dy pyetje drejtuar presidentit Vuçiq:

“A e dënon Presidenti i Republikës së Serbisë gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve? Dhe pse nuk i dënuat këto deklarata aty, në vendngjarje, në momentin kur u shfaq dhe u artikulua kjo urrejtje?”

“Pse shpërbleni me punësim në BIA ata që publikisht i fyejnë shqiptarët?”

 

Fjalimi, video: https://www.facebook.com/share/19DUQoDGDu/

COMMENTS