HomeEditorial

Fjala e redaktorit: Zgjedhjet në Bujanoc, kush fitoi e kush humbi

Zgjedhjet lokale në Bujanoc kanë sjellur rezultate që në masë të madhe do ta ndryshojnë konfiguracionin politik në katër vitet e ardhshme, pa marr

Arifi takon përfaqësuesit e romëve nga Bujanoci
Arifi takon drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe ata të shkollave
Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

Zgjedhjet lokale në Bujanoc kanë sjellur rezultate që në masë të madhe do ta ndryshojnë konfiguracionin politik në katër vitet e ardhshme, pa marrë parasysh se kush bëhet pjesë e pushtetit e kush e opozitës.

Shikuar në përqindje, pjesa më e madhe e elektoratit i ka besuar subjekteve dhe grupacioneve të cilat në të kaluarën nuk arrinin shifra të kënaqshne, por edhe atyre që për herë të parë u paraqitën në garën zgjedhore.

Marrë në përgjithësi, votuesit kanë shpërblyer Frontin për Ndryshim, Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe Grupin e Qytetarëve “Dr.Dejan Stojanoviq”, ndërsa kanë ndëshkuar Partinë Demokratike, Partinë për Veprim Demokratik dhe Partinë Progresiste Serbe.

Në përbërjen etnike të kuvendit, numri i këshilltarëve mbetet i njejtë si në vitin 2020. Listat shqiptare do të përfaqësohen me 26 këshilltarë, serbët me 13 dhe romët me 2 këshilltarë.

Në këtë shkrim do të bëjmë një analizë të shkurtër se si votuan qytetarët shqiptarë dhe cilat ishin arsyet e një rezultati të tillë.

Partia Demokratike e cila udhëhoqi me pushtetin aktual pësoi një rënie të përgjysmuar në krahasim me vitin 2020.

Edhepse shihej si subjekt i konsoliduar, doli se largimet e disa figurave nga PD ta kenë dëmtuar subjektin.

Megjithatë, si element kyç në rezultatin kaq të dobët të kësaj partie shihet konsumimi i liderit të saj, Nagip Arifi.

Arifi në fushatë dukej se është përplot elan dhe energji, mirëpo për elektoratin është parë si “i tepërt” për herën e pestë.

Për të thuhet se ka qenë i “detyruar” t’i qaset edhe një herë garës zgjedhore ngase askush nga subjekti nuk ishte i gatshëm për të paraqitur kandidaturën.

Përveç PD-së, rënie drastike të votave ka pësuar edhe Partia për Veprim Demokratik.

Për PVD-në, fajtori në këtë debakël zgjedhor duhet kërkuar fillimisht tek jetëgjatësia e saj në pushtet. Dy mandate të njëpasnjëshme, me gjasë ju kanë dukur shumë votuesit për t’i besuar këtij subjekti.

Partia më e vjetër në Luginë është futur në ring me duar të lidhura. Në asnjë moment nuk ka mundur ta kritikojë pushtetin duke qenë vet pjesë e tij.

Me gjasë, PVD momentin e fundit për të kaluar në opozitë e ka pasur dy vjet më herët, gjatë mosmarrëveshjve rreth formimit të Këshillit Kombëtar.

Tjetër fakt që e ka hendikepuar këtë subjekt politik ishin temat e përdorura në fushatë.

Në aspektin e „PR-it“ PVD kishte fushatë perfekte, mirëpo leva e përdorur me fondin e Kosovës doli të jetë kundërproduktive.

Kandidati i PVD-së për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, në cilësinë e kryetarit të KKSH, ishte personaliteti më i akuzuar dhe etiketuar lidhur me shpërndarjen e fondit të Kosovës në vitin 2022.

Andaj, premtimi një fond nga i njejti donator por për qëllime tjera, psh në bujqësi, nuk doli të jetë tërheqës për elektoratin.

Lëvizja e Progresit Demokratik për shumkë doli të jetë befasia më e madhe e këtyre e zgjedhjeve por jo edhe nëse e shikojmë nga këndvështrimi i analizës.

Me vdekjen e themeluesit të këtij subjekti politik, Jonuz Musliu, i biri i tij, Shqiprimi, bëri një riorganizim komplet të partisë. Ai nuk largoi nga skena „të vjetrit“ por solli kuadro të reja dhe me mjaft kredibilitet nga meset që ata vinin.

Musliu nuk e pati problem që të rinjve t’i ofrojë poste që i takonin me mandatin e pushtetit lokal dhe ishte insistues në formimin e koalicionit në KKSH në përbërjen aktuale.

Këto veprime të kryetarit të LPD-së dolën të shihen pozitive nga prizmi i elektoratit dhe ai gati se i dyfishoi votat në këto zgjedhje.

Nuk e di nëse janë të vetëdijshëm ose jo në LPD, por një rezultat i këtillë zgjedhor është meritë e jashtëzakonshme edhe e Nevzad Lutfiut.

Lutfiu ka qenë shembull i një të zgjedhuri nga populli në mandatin e tij si këshilltar ndërsa me këtë qasje po vazhdon edhe në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në çdo kohë transparent dhe në suaza të kompetencave të tija nê veprime.

Para se të premtojë diçka, Lutfiu me gjasë bën një analizë detajuese, dhe vetëm atëherë hidhet në veprim. Edhe kur gjërat shkojnë sipas planifikimit dhe rezultojnë të sukseshme, Lutfiu në çdo kohë jep llogaridhënie. Kjo e bën të besueshëm vet atë por bonuset i shkojnë subjektit që përfaqëson.

Fronti për Ndryshim, fitues i zgjedhjeve lokale në Bujanoc.

Një koalicion midis Alternativës për Ndryshim, Unionit Demokratik Shqiptar dhe Lëvizjes për Bujanocin, doli të jetë lista më e votuar, dhe për këtë ka disa arsye.

Në rradhë të parë revolta e qytetarëve ndaj pushtetit aktual katërvjeçar.

I proklamuar si qeverisje gjithshqiptare, entuziazmi ndaj pushtetit zbehej me kalimin e kohës.

Qeverisje pa program dhe pa projekte konkrete. Madje, gjatë gjithë mandatit nuk kishte ndonjë projekt kapital që duhej veçuar. Ku gjithçka ndahej në tre pjesë, duke nisur nga donacionet e komunës e deri tek kuotat për praktikantë, nuk kishte se si mos të ngrit pakënaqësinë e qytetarëve. Kur kësaj i shtohej edhe mungesa e ujit gjatë verës, papastërtia konstante e qytetit e shumë mangësi tjera, s’do mend se qytetarët do të kërkonin ndryshime.

Ishte koha e duhur që Arbër Pajaziti ta shfytëzonte këtë gjendje dhe pa ndonjë premtim të madh zgjedhor të korrë fitore.

Me një fjalë, konkurrencën e kishte fare të dobët, bazuar në rrethanat që i analizuam më herët, veçmas për PD-në dhe PVD-në.

Përveç tjerash, Pajaziti i dëmtoi fort këto dy subjekte duke u marrë edhe personalitete kyçe e si përfundim edhe numër të madh votash.

Karizma e tij dhe siguria që kishte në fitore arriti ta bind Driton Rexhepin e Lëvizjes së sapoformuar për Bujanocin dhe Basri Veselin e UDSH-së për krijimin e një liste të përbashkët.

Të bashkuar rreth një fronti, të pagëzuar për ndryshim, duke i shfrytëzuar gabimet e qeverisjes aktuale, fitorja pothuaj se ishte pranë duarsh.

Duke e parë situatën në përgjithësi, Pajaziti ka mundur t’i fitojë zgjedhjet vetëm me Alternativën e tij për Ndryshim por bashkimi në koalicion i ka ofruar siguri maksimale.

Në fund, pa marrë parasysh se kush fitoi e kush humbi në këto zgjedhje, një gjë është shumë e qartë.

Bujanoci ka nevojë për shumë punë. Qytetarët e thanë të veten më 2 qershor. Tani i takon atyre që morrën besimin të dëshmohen me vepra.

COMMENTS