Funksionimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në fushën e mediave vazhdon të mbetet një nga pikat më të dobëta të veprimtarisë së këtij institucioni. P

Funksionimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në fushën e mediave vazhdon të mbetet një nga pikat më të dobëta të veprimtarisë së këtij institucioni.
Përkundër rolit që KKSH-ja ka me ligj në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive, përfshirë edhe informimin në gjuhën shqipe, mungesa e bashkëpunimit serioz dhe të strukturuar me sferën e mediave është evidente dhe shqetësuese.
Rasti i REM-it dhe tërheqja e kandidates shqiptare, e propozuar pikërisht nga KKSH-ja, pa një debat paraprak, është një çështje që kërkon shtjellim publik dhe përgjegjësi institucionale.
Kjo pozitë nuk ka pasur peshë vetëm për KKSH-në apo për pakicat kombëtare në përgjithësi, por ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme edhe për vetë Serbinë në raport me detyrimet e saj në procesin e integrimit evropian.
Zgjedhja dhe funksionimi i një organi rregullativ të pavarur për media është kriter themelor në rrugën drejt BE-së, dhe çdo hap prapa në këtë drejtim dëmton kredibilitetin institucional edhe të vet propozuesit.
Po ashtu, mosshfrytëzimi i mjeteve për revistën “Nacionali” nga ana e Trupit Koordinues nuk mund të shihet ndryshe veçse si një vendim në favor të politikës ditore.
Qasje të këtilla mund të prodhojnë pasoja konkrete në sferën e informimit në gjuhën shqipe duke dërguar një mesazh negativ për rëndësinë që u jepet mediave që adresojnë interesat e shqiptarëve.
Nuk duhet lejuar që të neglizhohen mundësitë për përparimin e fushave që prekin drejtpërdrejt informimin dhe të drejtën për komunikim publik.
Mungesa e formimit të ekipeve profesionale për përpilimin e rekomandimeve, si dhe mospjesëmarrja aktive në debatet për Strategjinë e re Mediale deri në vitin 2030, mungesa e adresimit të nevojave ndaj transmetuesit publik, qoftë në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Programor apo kërkesat konkrete për hapësira në skemën programore, tregojnë një pasivitet institucional që nuk mund të arsyetohet.
KKSH-ja ka mundësi reale të faktorizohet, veçanërisht në raport me partnerët ndërkombëtarë, në aspektin e mediave dhe rregullimit të tyre. Kjo, megjithatë, kërkon qasje profesionale dhe bashkëpunuese, e jo vetëm vendime politike kryeneçe, të cilat shpesh rezultojnë të dëmshme për interesin e përgjithshëm.
Në anën pozitive, duhet përmendur emërimi i komisionit për vlerësimin e projekteve nga lëmia e informimit. Edhe pse edhe këtu kanë ekzistuar tendenca për ndërhyrje, sidomos ndaj mediave apo aktorëve “të padëshirueshëm”, falë integritetit profesional të anëtarëve të komisionit këto përpjekje janë parandaluar. Ky fakt dëshmon se profesionalizmi dhe transparenca ende mund të jenë mekanizmat më të fortë përballë presioneve politike.
Në përfundim, KKSH-ja duhet të rishikojë seriozisht qasjen e saj ndaj mediave dhe gazetarëve.
Informimi nuk është sektor dytësor, por shtyllë themelore e ruajtjes së identitetit, gjuhës dhe interesave kolektive të shqiptarëve. Pa një strategji të qartë, bashkëpunim të hapur me mediat dhe angazhim real në proceset rregullative, çdo pretendim për përfaqësim të plotë mbetet i cunguar.
COMMENTS