Në seancën plenare të Parlamentit të Serbisë deputeti, Shaip Kamberi, ka folur për pozitën e drejtësisë dhe instancave të saja në Luginë dhe Sanxh

Në seancën plenare të Parlamentit të Serbisë deputeti, Shaip Kamberi, ka folur për pozitën e drejtësisë dhe instancave të saja në Luginë dhe Sanxhak.
Fjalimi i deputetit Kamberi :
Së bashku me deputetët e SDA-së, në nëntor të vitit të kaluar kemi dorëzuar propozimin e Ligjit për kompetencat dhe territorin e gjykatave. Pas një zvarritjeje njëvjeçare, falë insistimit tonë të vazhdueshëm, kryetarja e Parlamentit u detyrua ta paraqesë këtë propozim si pikë të rendit të ditës.
Zonja dhe zotërinj,
Para nesh është një ligj që prek thelbin e asaj që do të thotë një shtet i drejtë, funksional dhe modern: qasje e barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe cilit komb i përkasin. Sot flasim për korrigjimin e një padrejtësie shumëvjeçare, për harmonizimin e sistemit tonë gjyqësor me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe për përafrimin me standardet ndërkombëtare që Serbia vetë i ka pranuar.
Ky ligj bazohet plotësisht në nenin 99 pika 7, nenin 143 dhe nenin 155 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë.
Kushtetuta na përcakton qartë tri detyrime:
• të sigurojmë një rrjet funksional të gjykatave,
• të garantojmë qasje të barabartë në drejtësi,
• dhe t’u ofrojmë komuniteteve pakicë mbrojtje të veçantë me qëllim arritjen e barazisë së plotë.
Nëse kjo është detyrim kushtetues, atëherë detyra jonë është shumë e qartë: ta zbatojmë në praktikë, e jo vetëm në letër.
Kur në vitin 2013 u vendos rrjeti aktual i gjykatave, u bë një gabim serioz sistemik: më së shumti u lanë pas dore komunat ku shqiptarët dhe boshnjakët përbëjnë shumicën e popullsisë.
Kemi situata që nuk mund t’i arsyetojmë në mënyrë racionale:
• Tutini, me mbi 33.000 banorë, nuk ka gjykatë themelore,
• Presheva dhe Bujanoci nuk kanë rrjet adekuat gjykatash dhe prokurorish,
• qytetarët e Bujanocit i zhvillojnë procedurat kundërvajtëse në Vranjë – në një mjedis ku nuk flitet gjuha e tyre,
• qytete dhe komuna më të vogla në mbarë Serbinë kanë edhe gjykata themelore edhe kundërvajtëse, ndonëse kanë më pak banorë se Presheva, Bujanoci apo Tutini.
Kjo është një paarsyeshmëri juridike, mospërputhje institucionale dhe pengesë reale për qasjen në drejtësi.
Me këtë ligj, këto pabarazi korrigjohen përmes themelimit të:
• Gjykatës Kundërvajtëse në Tutin,
• Degës së Gjykatës Kundërvajtëse të Preshevës në Bujanoc,
• Gjykatës Themelore në Preshevë,
• Gjykatës Themelore në Tutin,
• Gjykatës së Lartë në Bujanoc,
• Gjykatës Ekonomike në Novi Pazar,
• Prokurorive Themelore Publike në Bujanoc, Sjenicë dhe Tutin,
• Prokurorisë së Lartë Publike në Bujanoc.
Kjo nuk është thjesht lehtësim administrativ.
Kjo është një riorganizim që krijon një rrjet institucionesh në përputhje me Kushtetutën, demografinë dhe nevojat reale të qytetarëve.
Regjistrimi i vitit 2022 na dha një pasqyrë të qartë:
• Bujanoci: 41.068 banorë (25.465 shqiptarë),
• Presheva: 33.449 banorë (31.340 shqiptarë),
• Novi Pazari: 106.720 banorë (85.204 boshnjakë),
• Tutini: 33.053 banorë (30.413 boshnjakë),
• Sjenica: 24.083 banorë (17.665 boshnjakë).
Këto janë fakte reale dhe të pakontestueshme. Edhe pse kanë numër të madh banorësh, këto komuna janë të nënvlerësuara në infrastrukturën gjyqësore.
Nga ana tjetër, zona me shumë më pak banorë kanë infrastrukturë të plotë gjyqësore.
Udhëzimet e Lubjanës të OSBE-së nga viti 2012 theksojnë se një shtet i qëndrueshëm duhet të sigurojë:
• dukshmëri institucionale të pakicave,
• qasje në drejtësi në gjuhën amtare,
• decentralizim të gjykatave në mjedise të ndjeshme dhe të përziera.
Ky ligj është pikërisht kjo – zbatim i standardeve ndërkombëtare që ne vetë i kemi pranuar dhe ndaj të cilave aspirojmë.
Gjihashtu, ky ligj paraqet zbatimin e detyrimeve nga Plani me shtatë pika (2013), veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me decentralizimin e drejtësisë në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak.
Ky ligj nuk është një lëshim. Nuk paraqet asgjë që cenon ndonjë komunë në Serbi.
Ky ligj është:
• korrigjim i zgjidhjeve të padrejta dhe të palogjikshme,
• vendosje e barazisë në qasjen ndaj drejtësisë,
• rritje e besimit në institucionet shtetërore,
• investim në stabilitet dhe integrim.
Dhe kjo është thelbi i një shoqërie të qëndrueshme, demokratike dhe moderne.
Ju ftoj të votoni për këtë ligj. Jo për politikë ditore. Jo për interesa të pjesshme.
Por sepse ky është ligji i barazisë, drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe barazisë së plotë.
Me miratimin e këtij ligji tregojmë se Serbia është shtet i të gZbatoni detyrimet nga Plani shtatëpikësh, siguroni qasje të barabartë në drejtësi!jithë qytetarëve të saj dhe se institucionet u përkasin njësoj të gjithëve.
Fjalimi i Kamberit, video:
https://www.facebook.com/share/v/17xkKLeHfa/
COMMENTS