HomePolitikë

Kamberi: Të drejtat e pakicave nuk janë folklor, por obligime që duhet të zbatohen

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve shtetërore gjatë diskutimit mbi

Arifi kërkon mirëkuptim nga pronarët e lokaleve por ruajtja e shëndetit thotë se është primare
Edhe një vikend me orë policore?
Konkurs për personat me nevoja të veçanta

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve shtetërore gjatë diskutimit mbi Raportin e Komisionit Evropian, duke theksuar se çështjet e të drejtave të njeriut dhe të pakicave janë thelbësore për rrugën evropiane të Serbisë dhe jo tema simbolike apo deklarative.

Sipas Kamberit, Raporti i Komisionit Evropian konstaton qartë ngadalësimin e reformave dhe problemet strukturore që prekin pakicat kombëtare. Ai veçoi problemet e vazhdueshme me të cilat përballet komuniteti shqiptar, si zbatimi i pamjaftueshëm i ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pamundësia e përdorimit të simboleve kombëtare dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore.

“Nevojiten veprime konkrete, jo vetëm premtime. Qeveria duhet të vendosë afate të qarta dhe mekanizma efektivë mbikëqyrjeje për zbatimin real të të drejtave të pakicave”, theksoi Kamberi.

Duke folur për ndjekjen penale të krimeve të luftës, ai paralajmëroi për dukurinë shqetësuese të tolerimit dhe glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte në hapësirën publike dhe politike. Sipas tij, përballja me të kaluarën është parakusht për sundimin e ligjit, pajtimin shoqëror dhe respektimin e vlerave evropiane. Kamberi kërkoi hetime transparente, ndjekje penale të përgjegjësve dhe politika arsimore që do të parandalojnë revizionizmin dhe relativizimin e krimeve.

Ai u ndal edhe te mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera të luftës, duke theksuar se mungesa e masave kundër kësaj praktike dëmton procesin e pajtimit dhe stabilitetin rajonal.

Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, Kamberi theksoi se Raporti i Komisionit Evropian mban Serbinë përgjegjëse për moszbatimin e disa marrëveshjeve të arritura, përfshirë njohjen e diplomave, pranimin e dokumenteve, menaxhimin e integruar të kufirit dhe mosprocesuimin e përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë. Ai nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve nuk është dorëzim, por kusht për stabilitet dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Vëmendje të veçantë Kamberi i kushtoi kapitujve 23 dhe 24, të cilët, sipas tij, përbëjnë thelbin e integrimeve evropiane. Raporti për vitin 2025, tha ai, konstaton përparim të kufizuar ose aspak në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe mbrojtjes reale të të drejtave të pakicave, si dhe mungesë besimi në institucione, veçanërisht nga komunitetet pakicë.

Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Serbi, Kamberi theksoi përfaqësimin e pamjaftueshëm në polici, gjyqësor, prokurori dhe administratë publike, moszbatimin e qëndrueshëm të gjuhës shqipe, si dhe problemin e pasivizimit të adresave, i cili cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve. Ai përmendi gjithashtu neglizhencën ekonomike dhe infrastrukturore të rajoneve me shumicë shqiptare.

“Këto nuk janë probleme të izoluara, por mangësi strukturore që shkelin standardet evropiane. Të drejtat e pakicave nuk janë folklor, por vlerë fundamentale e demokracisë”, theksoi Kamberi.

Në përfundim, ai vlerësoi se Raporti i Komisionit Evropian është edhe një hartë rrugore për përparim, duke kërkuar zbatim të shpejtë dhe konkret të rekomandimeve. Kamberi ngriti edhe dilema për orientimin e politikës së jashtme të Serbisë, duke kritikuar, siç tha, “politikën e kalkulimit me katër karrige”, e cila sipas tij ka rezultuar e dëmshme për perspektivën evropiane të vendit.

“Rruga evropiane e Serbisë nuk do të përfundojë derisa të drejtat të jenë të barabarta për të gjithë dhe drejtësia të mos jetë selektive”, përfundoi deputeti Kamberi.

COMMENTS