Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar-KKSH, Nevzad Lutfiu, ka ndërmarrë iniciativë për unifikimin e subjekteve shqiptare pas zgjedhjeve lokale me
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar-KKSH, Nevzad Lutfiu, ka ndërmarrë iniciativë për unifikimin e subjekteve shqiptare pas zgjedhjeve lokale me qëllim të ruajtjes së shumicës për qeverisje me Bujanocin.
Deri më tash, ai ka qenë nikoqir i dy raundeve me përfaqësuesit politikë të kësaj komune, ndërsa rezultatet e bisedimeve janë deri diku pozitive, edhepse ka vërejtje në mënyrën e realizimit.
Vet niciativa duket të jetë e sinqertë, mirëpo drafti i propozuar, në shikim të parë, duket të jetë jo përmbajtësor.
Një draft ku flitet ekskluzivisht për pozita nuk njihet shumë në praktikat demokratike.
“I pari kryetar i komunës, i dyti i kuvendit, i treti zv/kryetar, etj…” , më tepër tingëllon si diçka që i ka paraprirë formave moniste të delegimeve se sa zgjedhjeve demokratike.
Madje, përcaktimi i pozitave paraqet edhe rrezik permanent për elektoratin për dalje jo aq serioze në zgjedhje.
Njerëzit që nuk e kuptojnë detyrën e tyre për të votuar, fare thjesht mund të abstenojnë kur dëgjojnë për këso forma të marrëveshjeve.
Ata i konsiderojnë si “punë të kryer” zgjedhjet duke llogaritur se vota e tyre është e panevojshme.
Është evidente se ruajtja e shumicës shqiptare mund të paraqitet si domosdoshmëri edhe gjatër katër vjetëve të ardhshme, por për të ruajtur atë, më përpara është dashur të hartohet një strategji veprimi se sa të flitet për pozita.
Kur diskutojmë për pozita e nuk merremi me vizione për të ardhmen i bie se deri më tash gjithçka ka lulëzuar dhe vetëm duhet vazhduar rrugën e njejtë.
Ky narracion tingëllon keq edhe tek fushata zgjedhore të nesërmen.
Madje, në masë të madhe e zbeh edhe fushatën zgjedhore dhe elaborimin e programeve.
Nëse synohet një bashkëpunim vëllazëror, fillimisht subjektet është dashur të hartojnë një Kod të mirësjelljes i cili do të ishte i favorshëm për diskursin publik dhe votën e lirë.
Nëse kësaj iu ishte bashkangjitur edhe një strategji veprimi, atëherë do të kishim një klimë shumë më të favorshme.
21-shi shqiptar është i nevojshëm, por jo për gjëra që mbesin vetëm në letër. Edhe më pak jo për stagnim por për përparim.
Ne mund të kemi edhe koalicion gjithshqiptarë me 25-26 këshilltarë, por nëse primare e kemi rehatimin vetëm nëpër kolltuqe, atëherë përfundimi ynë mund të jetë fatal.
COMMENTS