HomeEditorial

Fjala e redaktorit: Fokusi politik në Luginë: çfarë na pret këtë vit?

  Viti politik në Luginë nis nën hijen e paqartësive të mëdha dhe pritjeve të vogla. Pyetja kryesore nuk është më çfarë duan subjektet pol

Përmbyllet konkursi për 1 milion euro për bujqit e Luginës, ja sa konkuruan
PVD akuzon drejtuesit e Preshevës për keqqeverisje,zgjidhjen e sheh tek zgjedhjet e reja
Arifi në gjykatë për vendosjen e flamurit

 

Viti politik në Luginë nis nën hijen e paqartësive të mëdha dhe pritjeve të vogla. Pyetja kryesore nuk është më çfarë duan subjektet politike shqiptare, por çfarë u lejohet të realizojnë në një konstelacion ku vendimmarrja rrallë kalon nga këto treva.

Në planin afatshkurtër, ajo që është pothuajse e sigurt janë zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të paralajmëruara për vjeshtë. Radhitja e subjekteve politike shqiptare dhe interesi real për këto zgjedhje do të varen drejtpërdrejt nga një faktor kyç: fondet nga Kosova dhe Shqipëria, apo më saktë  realizimi konkret i tyre në terren. Retorika politike nuk mjafton më; votuesit kërkojnë prova, jo premtime.

Ndërkohë, zgjedhjet parlamentare në Serbi, edhe pse përmenden shpesh në diskursin publik, vështirë se do të mbahen këtë vit. Parashikimet serioze flasin për majin e vitit të ardhshëm, në një paketë të mundshme zgjedhjesh parlamentare dhe presidenciale, ose në kohën kur presidentit Aleksandar Vuçiq i përfundon mandati.

Pa “prerjen e shiritit” të EXPO-s, projektit më të madh të dekadave të fundit për pushtetin aktual, zgjedhjet duken të pamundura. Pikërisht ky panair pritet të shërbejë si alibi politike për një rotacion të mundshëm, ku Vuçiq do të synonte postin e kryeministrit, jo më me SNS-in, por me të ashtuquajturën Lëvizje Popullore, aktualisht në formim.

Në këtë konfigurim, deputeti aktual nga Lugina, Shaip Kamberi, e ka të sigurt mandatin edhe për rreth një vit e gjysmë, pa lëkundje serioze në horizont.

Kur flasim për pushtetin lokal në Bujanoc dhe Preshevë, në shikim të parë mbizotëron stabiliteti politik.

Në Bujanoc, fundi i vitit 2025 krijoi pritje për rikonfigurim, madje edhe për zgjedhje të parakohshme, por një skenar i tillë nuk u realizua. Me gjasë, aktorët politikë u zmbrapsën nga frika e masave të përkohshme dhe pasojave të tyre.

Edhe në Preshevë, pushteti lokal duket se do të ruajë stabilitetin aktual.

Megjithatë, si në Bujanoc ashtu edhe në Preshevë, rikonfigurime të mundshme mund të ndodhin vetëm pas zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Rezultatet dhe koalicionet e krijuara në KKSH mund të reflektohen drejtpërdrejt në rishikimin e raporteve dhe pozitave në pushtetet lokale të këtyre dy komunave.

Në një vështrim më të gjerë, veprimtaria politike në Luginë edhe këtë vit pritet të mbetet në një status quo. Arsyeja është e thjeshtë dhe e hidhur: pothuajse asgjë nuk varet realisht nga këtu. Zhvillimet politike, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, diktohen nga politikat e Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa Lugina vazhdon të jetë më shumë objekt sesa subjekt i vendimmarrjes.

Derisa kjo të ndryshojë, editorialet do të shkruhen me të njëjtin refren: shumë pritje, pak lëvizje dhe edhe më pak rezultate konkrete.

 

COMMENTS