HomePolitikë

Driton Rexhepi: Konsullata shqiptare në Bujanoc është interes strategjik, por jo me çdo kusht

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka reaguar lidhur me debatin për hapjen e një konsullate të Republikës së Shqipërisë në

Shefi i Zyres Ndërlidhëse të Kosovës qëndron edhe në Preshevë
Vazhdon beteja për 21 qershor: Arifi bënë thirrje për 21-in shqiptarë- Pajaziti: 21 shqiptarë po se po, por unifikimin nuk mund ta bëjnë ata që ditë e natë punojnë kundër
Kamberi në SHBA

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka reaguar lidhur me debatin për hapjen e një konsullate të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një çështje të rëndësishme që duhet trajtuar me maturi dhe në përputhje me parimet e diplomacisë shtetërore.

Sipas tij, hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc përfaqëson një objektiv strategjik për forcimin e pranisë institucionale të Shqipërisë në Luginën e Preshevës, duke afruar shërbimet konsullore dhe duke krijuar mundësi më të mëdha për bashkëpunim kulturor, arsimor dhe ekonomik.

Rexhepi thekson se diplomacia ndërtohet mbi negociata dhe reciprocitet, ndërsa fakti që Serbia ka shprehur interes për hapjen e një konsullate në Shkodër është pjesë e praktikës diplomatike ndërkombëtare. Ai shpreh mbështetje për qasjen e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke vlerësuar se vendimet në diplomaci duhet të bazohen në analiza të kujdesshme dhe jo në nxitim.

Në reagimin e tij ai shtron pyetjen: “A ia vlen barra qiranë?”, duke theksuar se përgjigjja duhet të mbështetet në interesin afatgjatë kombëtar. Sipas Rexhepit, nëse një marrëveshje garanton përfitime konkrete për shqiptarët e Luginës dhe është në dobi të Shqipërisë, ajo duhet të mbështetet. Në të kundërtën, shtyrja e saj deri në krijimin e kushteve më të favorshme duhet parë si përgjegjësi diplomatike.

Për të ilustruar rëndësinë e analizës para marrjes së vendimeve, ai sjell në vëmendje rastin e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc, duke theksuar se, sipas të dhënave publike, aktualisht aty studiojnë vetëm dy studentë shqiptarë, çka sipas tij dëshmon se edhe nismat me qëllime të mira kërkojnë vlerësim të kujdesshëm të qëndrueshmërisë së tyre.

Rexhepi u bën thirrje përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të mos ushtrojnë presion mbi diplomacinë shqiptare me afate apo emocione politike, duke vlerësuar se një marrëveshje e mirë është më e rëndësishme sesa një marrëveshje e shpejtë.

Ai kritikon gjithashtu përpjekjet për ta përdorur këtë proces për përfitime të politikës ditore, duke theksuar se çështjet e interesit kombëtar kërkojnë përgjegjësi dhe jo polarizim.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit thekson se mbështet hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc si një objektiv strategjik, por nënvizon se realizimi i saj duhet të ndodhë vetëm kur kushtet diplomatike janë të favorshme dhe marrëveshja i shërben interesit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

COMMENTS