HomePolitikë

Deklarimet e para në Bujanoc rreth zgjedhjeve parlamentare

Pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për shpërbërjen e Kuvendit Popullor dhe paralajmërimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në Luginën

Nesër zgjedhjet për KKSH
Punime në Osllarë
Në Bujanoc, për një muaj u shqiptuan 352 gjoba për parkim të paligjshëm

Pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për shpërbërjen e Kuvendit Popullor dhe paralajmërimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në Luginën e Preshevës janë shtuar thirrjet për bashkim të subjekteve politike shqiptare.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, e ka cilësuar situatën si një moment me peshë të jashtëzakonshme politike dhe kombëtare për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.

Rexhepi u ka bërë thirrje partive shqiptare që të tejkalojnë, siç është shprehur ai, “bajraktarizmat dhe interesat e ngushta lokale”, duke kërkuar koordinim për krijimin e një liste të përbashkët shqiptare në zgjedhjet parlamentare.

Sipas tij, ekziston një dallim i madh mes mungesës së përfaqësimit dhe mundësisë për sigurimin e një grupi të fuqishëm prej tre deputetësh në Parlamentin e Serbisë, ndërsa kjo, sipas Rexhepit, varet drejtpërdrejt nga aftësia e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar.

Ai ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh nga Tirana zyrtare dhe ka ftuar ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, që të intensifikojë takimet me aktorët politikë shqiptarë dhe të kontribuojë në koordinimin e hapave drejt një dokumenti strategjik dhe një liste të vetme zgjedhore.

Në të njëjtën linjë për bashkimin, por duke e vendosur theksin fillimisht tek Bujanoci, është shprehur edhe kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu.

Musliu ka kujtuar se para dy vitesh, Tirana dhe Prishtina kishin bërë thirrje për një listë gjithëshqiptare, duke deklaruar se edhe sot është plotësisht në favor të një liste të përbashkët.

“Vetëm të bashkuar mund të kemi më shumë peshë dhe zë”, është shprehur Musliu.

Megjithatë, ai ka ngritur një çështje tjetër: bashkimi për zgjedhjet parlamentare nuk duhet të shoqërohet me përçarje në nivel lokal.

“Çfarë kuptimi do të ketë në parlamentare të bashkuar, e në lokale të përçarë?”, ka pyetur Musliu, duke propozuar që hapi i parë të jetë në Bujanoc, ku partitë shqiptare duhet të ulen bashkë, të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bashkohen.

Mesazhi i dy drejtuesve politikë vjen në një moment kur subjektet shqiptare në Luginë përballen me sfidën e koordinimit politik dhe të sigurimit të përfaqësimit në institucionet qendrore të Serbisë.

Rexhepi kërkon një proces të gjerë unifikimi me mbështetjen e Tiranës, Prishtinës, diplomacisë dhe shoqërisë civile, ndërsa Musliu thekson se bashkimi duhet të nisë nga Bujanoci.

Në thelb, të dy mesazhet kanë një pikë të përbashkët: përçarja dobëson përfaqësimin shqiptar, ndërsa bashkimi shihet si rruga për të fituar më shumë peshë politike.

COMMENTS