DEKLARATA E PLOTË: Kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dr. Aleksandar

DEKLARATA E PLOTË:
Kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dr. Aleksandar Martinoviq, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, hedhin kategorikisht poshtë akuzat e pabazuara dhe të papranueshme të ministrit të Punëve të Brendshme të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, Xhelal Sveçla, lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe “spastrim etnik” ndaj shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Republika e Serbisë mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj një politike të integrimit të plotë të të gjitha komuniteteve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe sigurimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike. Në këtë drejtim, në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë siguron funksionimin e strukturave policore multietnike, në të cilat janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë qytetarë serbë, shqiptarë dhe romë.
Ministria ka shpallur disa herë konkurse publike për pranimin e pjesëtarëve të rinj në polici, por, për fat të keq, interesi i kandidatëve nga komuniteti shqiptar ka qenë shumë i ulët.
Thirrjet për sanksione ndërkombëtare kundër Republikës së Serbisë, të bazuara në pretendime të pabazuara për “spastrim etnik”, janë deklarata të pabaza, tendencioze dhe tejet të papërgjegjshme, të cilat mund të rrezikojnë seriozisht paqen dhe besimin ndëretnik në jug të Serbisë qendrore. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të plotë me faktet dhe përbëjnë përpjekje për politizimin e temave që në institucionet e Republikës së Serbisë trajtohen në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Trupi Koordinues me krenari thekson se në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk ndodh asgjë e ngjashme me atë që ndodh me serbët në Kosovë dhe Metohi nën regjimin e Albin Kurtit.
Policia nuk hap zjarr mbi civilë gjatë festave fetare, nuk maltreton maturantë, e as nuk shkel të drejtat themelore të njeriut. Asnjë shqiptar në këto komuna nuk është i ekspozuar ndaj terrorit që përditë përjetojnë serbët në Kosovë. Përkundrazi, të drejtat e njeriut respektohen, institucionet kryejnë punën e tyre dhe të gjithë qytetarët gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe shprehjes.
Ndërsa në Prishtinë, Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla nuk arrijnë të fshehin gjendjen katastrofale në të cilën ndodhet e ashtuquajtura “republika e Kosovës”. Dështimi për të konstituuar Kuvendin edhe pas 20 përpjekjeve dëshmon për kaosin e plotë institucional.
Ndërkohë që regjimi i Kurtit po fundoset në arbitraritet dhe dhunë, Republika e Serbisë mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, respektimit të të gjithë qytetarëve dhe ndërtimit të një shoqërie ku nuk ka vend për diskriminim.
COMMENTS