Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka takuar sot në kabinetin e tij Ambasadorin e OSBE-së ,Jan Brathu, ministren për të Drejtat e Njeri
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka takuar sot në kabinetin e tij Ambasadorin e OSBE-së ,Jan Brathu, ministren për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Shoqëror, Gordana Çomiq dhe Drejtorin e Entit Republikan Statistikor, Miladin Kovaçeviq.
Tema kryesore e diskutimit ishte procesi i regjistrimit të popullësisë që është planifikuar të mbahet prej 1 tetor deri më 31 tetor 2022.
„I njoftova me qëndrimin tim se çështja e regjistrimit të popullësisë shqiptare varet se sa ka vullnet Qeveria e Serbisë t’i plotësojë kushtet e shqiptarëve, me qëllim që mos të ndodhë ajo që ka ndodhur më 2011“, ka thënë kryetari Arifi, raporton FOLonline.
„Kërkova nga të pranishmit që t’i mundësohet regjistrimi edhe qytetarëve tanë që përkohësisht jetojnë në botën e jashtme, që regjistruesit në teren të pranohen sipas propozimeve të kryeshefit të administratës komunale, të mundësohet regjistrimi online, si dhe të aplikohen standardet e regjistrimit si në vendet demokratike“, është shprehur më tej Arifi.
Kryetari i Bujanocit thotë se ka kërkuar gjithashtu nga ambasadori Brathu që misioni i OSBE-së në Serbi të jetë garantues për një proces të rregullt të regjistrimit.
„Në fund, theksova se vendimin përfundimtar për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në regjistrim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do ta marrim në konsultim me të gjitha partitë politike shqiptare“, është shprehur ndër të tjera kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
Ndërkohë, shefi i OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, ka theksuar domosdoshmërinë që edhe shqiptarët të jenë pjesë e regjistrimit.
Ai ka potencuar se standardet e censusit janë unike në BE ndërsa ka treguar disa detaje teknike të cilat do të ndjeken gjatë procesit.
I pyetur nga FOLonline nëse mbetja e shqiptarëve pa përfaqësim në parlament mund të ndikojë në bojkot eventual të regjistrimit, ambasadori Braathu është shprehur se bojkoti nuk është zgjidhje.
Edhe ministrja, Gordana Çomiq, ka folur për këtë proces ndërsa ka theksuar se bashkëpunimi midis komunave dhe Entit Statistikor është i domosdoshëm.
Çomiq është pyetur edhe për procesin e dialogut social me përfaqësuesit e shqiptarëve me qëllim të inkuadrimit në instancat shoqërore.
Ajo ka theksuat se ky proces është në rrugë të mbarë dhe se së shpejti priten rezultatet e para.
COMMENTS