Kumtesë : ME DAKORDIMIN E TË GJITHË PARTNERËVE, PRESIM QË LPD-JA TË REFLEKTOJË DHE T’I BASHKOHET UNITETIT POLITIK SHQIPTAR Ndasia nuk i shër

Kumtesë :
ME DAKORDIMIN E TË GJITHË PARTNERËVE, PRESIM QË LPD-JA TË REFLEKTOJË DHE T’I BASHKOHET UNITETIT POLITIK SHQIPTAR
Ndasia nuk i shërben Luginës së Preshevës në këto momente. Nuk i shërben as LPD-së e as ndonjë subjekti tjetër politik shqiptar.
Partia për Veprim Demokratik, si rrallëherë më parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, ka kontribuar në përafrimin e subjekteve politike, kapërcimin e dasive partiake dhe përbashkimin e shqiptarëve rreth interesave të përbashkëta.
Pikërisht për këtë arsye, përkundër legjitimitetit të fituar zgjedhor, PVD-ja ka propozuar ndarjen proporcionale të përgjegjësive, gjithëpërfshirjen politike dhe bashkëqeverisjen pa opozitë në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Me propozimin e PVD-së dhe dakordimin e të gjithë partnerëve nënshkrues të marrëveshjes, pozitat e parapara për LPD-në mbeten vakante, duke ia mundësuar asaj që në çdo kohë t’i bashkohet këtij përbashkimi politik. Ky është dëshmimi më konkret i vullnetit tonë për gjithëpërfshirje.
Thashethemet nuk janë fakte e as e vërteta e askujt. Ato vetëm sa ushqejnë mosbesimin dhe thellojnë ndasitë mes nesh. T’i lëmë anash ato, akuzat e ndërsjella dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës, për të mos humbur mundësitë e së ardhmes.
Përbashkimi politik në Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe përpjekjet për rikthimin e përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve në Komunën e Bujanocit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, mund ta forcojnë njëra-tjetrën, por nuk duhet ta kushtëzojnë njëra-tjetrën.
Nuk kemi pse të mos jemi bashkë aty ku tashmë mundemi, për shkak se ende nuk kemi arritur të jemi bashkë diku tjetër.
Dje u përbashkuam për të siguruar më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë. Sot po përbashkohemi për një Këshill Kombëtar Shqiptar të të gjithëve. Nesër, pse jo, të përbashkohemi edhe për rikthimin e peshës dhe ndikimit politik të shqiptarëve në Komunën e Bujanocit.
Për LPD-në dyert mbeten të hapura. Me dakordimin e të gjithë partnerëve, presim reflektimin dhe bashkëngjitjen e saj në këtë marrëveshje.
Uniteti nuk duhet të jetë objekt kushtëzimi politik, por pikënisje për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta.
Të përbashkohemi për Luginën, përtej dallimeve tona partiake!
COMMENTS