Katër subjekte politike kanë nënshkruar sot në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc marrëveshjen për drejtimin e përbashkët të k

Katër subjekte politike kanë nënshkruar sot në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc marrëveshjen për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.
Burimet e FOLonline bëjnë të ditur se marrëveshja është nënshkruar nga përfaqësuesit e PVD-së, APN-së, PD-së dhe Grupit të Anëtarëve të PDSH-së, ndërsa Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) nuk e ka nënshkruar atë.
Sipas të njëjtave burime, LPD-ja e ka kushtëzuar nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje në KKSH me gjithëpërfshirjen edhe në pushtetin lokal të Bujanocit.
Ndërkohë, sipas marrëveshjes së arritur, Enkel Rexhepi do të propozohet për kryetar të KKSH-së, ndërsa ndarja e funksioneve është paraparë si vijon:
Kryetar i KKSH-së – PVD
Nënkryetar i KKSH-së – APN
Nënkryetar i KKSH-së – PD
Sekretar i KKSH-së – PVD
Kryetar i Këshillit Ekzekutiv – Grupi i Anëtarëve të PDSH-së
Zëvendëskryetar i Këshillit Ekzekutiv – PVD
Kryetar i Komisionit për Arsim – PVD
Kryetar i Komisionit për Kulturë – Grupi i Anëtarëve të PDSH-së
Kryetar i Komisionit për Përdorimin Zyrtar të Gjuhës, Shkrimit Shqip dhe Simboleve Kombëtare – APN
Kryetar i Komisionit për Informim – PD
FOLonline mëson se marrëveshja parasheh që Këshilli Ekzekutiv të përbëhet nga 11 anëtarë, ndërsa secili nga katër komisionet të ketë nga shtatë anëtarë.
Marrëveshja parasheh gjithashtu hartimin e një programi të përbashkët brenda 30 ditëve nga konstituimi i KKSH-së, vendimmarrjen me synim arritjen e konsensusit, transparencën dhe trajtimin e barabartë të shqiptarëve në të gjitha vendbanimet.
Katër subjektet nënshkruese përfaqësojnë 24 nga gjithsej 29 anëtarët e KKSH-së, sipas ndarjes së mandateve ndërmjet subjekteve.
Kujtojmë se konsultimet për bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse kanë nisur dje me iniciativën e PVD-së, në cilësinë e fitueses së zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Sipas burimeve të FOLonline, vulën zyrtare kësaj marrëveshjeje pritet t’ia japë në ditët në vijim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe garantues i saj. /FOLonline/
COMMENTS