Në Bujanoc është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për realizim

Në Bujanoc është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për realizimin e projektit “Zërat e Traditës”, i cili do të financohet me 800 mijë dinarë.
Sipas Trupit Koordinues, projekti synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, ndërsa gjatë takimit ndërmjet ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, dhe kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, u diskutuan edhe tema të tjera me interes për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në fokus të bisedimeve ishin fushata informuese për pasivizimin e adresave, zbatimi i Planit Shtatëpikësh, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, sigurimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe bashkëpunimi institucional.
Nga ana tjetër, kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, bëri të ditur se projekti “Zërat e Traditës” do të dokumentojë dhe promovojë kulturën, traditat dhe zakonet e shqiptarëve, me theks të veçantë në rolin dhe kontributin e gruas shqiptare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Rexhepi theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit për realizimin e këtij projekti, qëndrimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj Qeverisë së Serbisë mbetet i pandryshuar. Ai tha se KKSH-ja do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve me faktorin politik shqiptar, të ngrejë çështjet që lidhen me diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, si dhe të kërkojë trajtim të barabartë dhe respektim të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

COMMENTS